Skuadra e DRTK Shkodër, ka nisur punën për identifikimin dhe dokumentimin e pasurive kulturore me vlerë të rëndësishme historike me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre unike dhe shpalljen e tyre si interes kulturor.

Urat mbi fshatin Ganjollë

Vendndodhja e Shqipërisë në bregdetin lindor të Adriatikut e bëri atë një territor të rëndësishëm për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye Monarkia që herët në vitin 1832 kishte hapur një konsullatë të saj në Shkodër, e cila u bë në një qendër të rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon. Si rrjedhojë, në ultësirën perëndimore do të ndërtoheshin hekurudha për dekovilët si dhe teleferikë që shërbenin për transportimin e materialeve të luftës, ushtarëve, furnizimeve ushqimore etj. Vija më e njohur e dekovilit por dhe teleferikëve ishte Shëngjin Lezhë-Vorë, 40 km i gjatë dhe do të shërbente për transportin e municioneve e ushqimeve madje dhe të trupave.

Të dhëna teknike

Në malin e Sheldisë, në lartësinë rreth 280 m. ruhen si pjesë e trasesë së rrugës dy ura në distancë rreth 300 m nga njëra tjetra. Vepra inxhinerike në gurë shërbenin si mbikalime mbi vërshimet e përrojve nga Mali i Sheldisë.

Urat janë prej guri, ndërtuar mbi skarpatin e malit. Në fasadë i është kushtuar kujdesit estetik në puthitjen mirë të gurëve, skuadrimin e tyre, fugave dhe parapeta. Ura e parë që ngrihet rrëzë malit të Sheldisë, mbi fshatin Juban me një gjatësi 14 m, ngrihet mbi një qemer një fish i punuar me gurë të skuadruar me rreze drite 2.70 m. E gjithe ura ka një lartësi 2.10 m dhe gjerësi 3.30 m.

Ura e dytë rreth 300 m në distancë nga e para është më e lartë për shkak dhe të relievit më të thepisur. Për ndërtimin e saj është punuar dhe terreni mbi të cilin janë ngritur këmbët e urës. Me gjatësi 23.40 m, ura ka një lartësi 6.45 m e pajisur me një qemer një fish me rreze drite 2.70 m dhe gjeresi e trasesë 3.50 m.

E veçanta e të dy urave ka të bëjë me simetrinë e dy qemereve në diametër dhe realizimin preçiz të tyre me të njëjtin numër gurësh , në total 19 copë.