Shkodra i është bashkuar festimeve në Komunën e Tuzit në Malin e Zi, në festën e Karnavaleve. Banda e qytetit dhe artistët shkodranë janë bërë pjesë e karvanit në qendër të komunës në një atmosferë feste.

Artistët shkodranë janë pritur nga Kryetari i Komunës Tuz, Liridon Gjelaj, i cili falenderoi artistët për pjesëmarrjen. Në emër të Bashkisë Shkodër, zëvendëskryetari i saj Rudin Beka, vlerësoi këtë bashkëpunim mes dy qyteteve: Tuzit dhe Shkodrës, ndërkohë që i ftoi ata në javën e ardhshme në festimet 3 ditore të karnavaleve në Shkodër.

Festa e karnavaleve në Komunën e Tuzit është kthyer në një traditë të përvitshme të cilat kanë nisur që nga viti 1995. Artistët kanë performuar në qendër të komunës duke tërhequr interesin e banorëve të zonës të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Në Shkodër, Karnavalet do të mbahen për 3 ditë me radhë ku përveç ekipit të Tuzit që do të jetë pjesë e tyre, pritet të ketë shumë surpriza në datat 23, 24, 25 shkurt.