Koncerte, festivale, shfaqje teatrore, projekte të arteve pamore, promovimi i trashëgimisë, panaire, industria kreative do të mbështeten gjatë këtij viti nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. MEKI hapi thirrjen për projekt-propozimet për vitin 2024, ku ka vendosur dhe prioritet e saj. Sipas MEKI aplikimet janë deri më 1 mars, ku thirrja për projekte synon të mbështesë financiarisht me fonde publike projekt-propozime të paraqitura nga persona juridikë të regjistruar si OJF, individë, si edhe persona fizikë të regjistruar në QKB, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin, mbrojtjen, ruajtjen, përcjelljen dhe digjitalizimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Në prioritetet e para nga MEKI është promovimi i artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes veprimtarive kulturore. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shprehet se do të vazhdojë të mbështesë financiarisht sektorët kulturorë dhe veprimtaritë, të cilat bazohen në shprehje krijuese artistike bashkëkohore individuale ose kolektive. “Koncerte, festivale, shfaqje të artit skenik bashkëkohor dhe të arteve pamore; Panaire kushtuar artit, historisë e kulturës, me fokus zhvillimin ekonomik dhe shkëmbimin e eksperiencave, ekspozita me qëllim promovimin e artistëve të rinj e jo vetëm; Instalime multimediale dhe ekspozita arti që shfaqin interpretime bashkëkohore të trashëgimisë kulturore;

Projekte kulturore, të cilat përcjellin vlerat e trashëgimisë kulturore të tilla si: artet e shfaqjes (muzika, kënga dhe vallja), rituale dhe festa, traditat e folura; Publikime në kuadrin e promovimit të artit dhe trashëgimisë të tilla si bibliografi, albume artistike, albume fotografike, mbi trashëgiminë kulturore, arkitekturën, kinematografinë, koleksione, etj; Promovim dhe nxitje e kineastëve të rinj, mbështetje për realizimin e dokumentarëve ose produksioneve të tjera multimedia, me fokus promovimin e trashëgimisë, jetës artistik edhe pasurisë kulturore”, thyhet nga MEKI në faqen e saj. Tek ky prioritet MEKI ndër të tjera shton dhe rrjetëzimin e ngjarjeve dhe forumeve për profesionistët e kulturës, nxitjen e dialogut, bashkëpunimit dhe inovacionit në sektorin kulturor.

Prioritetet e tjera nga MEKI

Në prioritetet në vijim, MEKI ka renditur promovimin e artizanatit, industrive kreative dhe projekteve të inovacionit. MEKI shprehet se do të mbështesë dhe do të nxisë industritë kreative, të tilla si arkitektura, dizajni, krijimtaria multimediale, artet performuese, etj, të cilat flasin me gjuhën e kohës, mbështeten në elementë identitarë shqiptarë dhe janë një sektor i rëndësishëm i jetës artistike në vend që krijon mundësi angazhimi e punësimi. “Industria kreative është mënyra më e mirë për të promovuar dhe ngritur në art trashëgiminë tonë kulturore sipas motos: “Kultivojmë traditën, përqafojmë risitë”, thuhet nga MEKI. Gjithashtu, fokus të veçantë do të ketë për nisma mjedisore të integruara në ngjarje kulturore, duke promovuar qëndrueshmërinë dhe praktikat e përgjegjshme turistike; zhvillimi i workshopeve dhe sesione interaktive mbi zanatet dhe artet tradicionale, duke ofruar përvoja praktike për vizitorët, etj. Në thirrjen për projekt-propozime, MEKI rendit dhe promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes teknologjisë digjitale.

“Përmes teknologjisë, aplikacioneve digjitale, tureve virtuale, audio-guidave, krijimeve multimediale, muzeve virtualë, krijimit të lojërave interaktive argëtuese dhe edukuese për fëmijët e vegjël dhe qasje të tjera, synohet të prekim një publik tepër të gjerë”, thuhet nga MEKI më tej. Thirrja që u hap më 9 shkurt do vijojë deri në datën 1 mars. Periudha e realizimit të projekteve: mars – 5 dhjetor 2024.