Nga Iva Gjoni

Henirk Lacaj lindi në Shkodër më 1909 nga Kolë dhe Luçie Saraçi. Të parët e tij u shpërngulën nga Hoti rreth vitit 1700. Katragjyshi jetoi pjesën më të madhe  larg gruas dhe djalit të vetëm e kur u kthye nga mërgimi (në Bukuresht) mbas 20 vjetësh, ishte po aq i varfër sa kur shkoi. 

Gjyshi ishte zejtar i njohur në Shkodër për urtësinë dhe bamirësitë. Mbas vdekjes së gjyshit, i ati i Henrikut së bashku me dy vëllezërit e tij u morën me fabrikim alkoli e pijesh të ëmbla, me shitje sapuni, etj. Më vonë Kola u nda nga vëllezërit dhe hapi një dyqan të vogël me sende ushqimore derisa e la kur u plak, meqë tri djemt e tij nga të pestë (njëri vdiq) fikkuan të mbajnë familjen me rrogën e tyre. Mund të themi se Henrik Lacaj rrjedh nga një shtresë e mesme.

Mësimet fillore i nisi në kohën e okupacionit Austriak në shkollën e Schul Bruderve. Mbas Luftës I Botërore vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, ku përveç fillores 5-vjeçare, kreu dhe gjimnazin klasik 8-vjeçar. Në rritjen dhe edukimin e tij kanë luajtur rol familja dhe farefisi  – këshillat, drejtimet, serioziteti dhe rreptësia e prindërve, veçanërisht e nënës. I ati i rrahur me jetën dhe me disa vjet shkollë e ndihmoi të njohë botën. Nga fundi i studimeve të mesme, Henrik Lacaj vazhdoi të merrte njohuri në mënyrë të pavarur. I ati nuk ishte në gjendje të përballonte jetesën e një familje prej 7 vetësh me një dyqan të vogël. Megjithatë në shkollën e mesme hodhi themele të forta që ia vlejtën për më lart, në studimet në kolegj, të cilat ishin shumë serioze dhe të vështira e ku disiplina ishte shumë e fortë. Rrethi shoqëror i tij ishte homogjen: të gjithë shokët edukoheshin në të njëjtin ambjent. Gjatë jetës studenteske e ka ndjerë, si shumë të tjerë, varfërinë dhe mjerimin e një pjese të mirë të popullit shqiptar. 

Mbas studimeve të mesme, Ministria e Arsimit nuk ia aprovoi bursën që Henrik Lacaj kërkoi. Atëherë Jezuitët ndërhynë dhe nxorrën një bursë nga shteti Italian, por me një shumë qesharake prej 340 lirash në muaj. Henriku dëshironte të studionte për mjeksi, por meqë bursa nuk mjaftonte, u rregjishtrua në degën e letërsisë, e cila kërkonte më pak frekuentim. Më 1930 fillon studimet e larta në Fakultetin Lettere e Filosofia në Padova me orientim të Filologjisë klasike dhe diplomohet në 1935. 

Në vitin 1935 emërohet nga Ministria e Arsimit profesor në gjimnazin e Shkodrës ku jep gjuhë Shqipe, Latinisht, Greqishten e vjetër dhe Italisht deri në vitin 1939. Gjatë kësaj kohe dha kontributin e vet në pregatitje pjesësh teatrale në rrethin e nxënësve. Bashkëpunoi me shoqëritë Bogdani e Rozafa. Në vitin 1940, pas ardhjes së okupatorit në Shqipëri, Ministria e Arsimit  e transferon (kundër dëshirës së tij) në gjimnazin e Tiranës për t’i lëshuar vendin disa proferorëve të rinj. Kështu gjatë vitin 1940-1941 shpërngulet në Tiranë. Me largimin e Ernest Koliqit nga arsimi dhe me ardhjen e Xhevat Korçës, emërohet me funksionin drejtor i arsimit. Gjatë kësaj kohe pati filluar të ndihel lëvizja Nacional-Çlirimtare, kundrejt së cilës Henriu mbajti një qëndrim indiferent. Mbas çlirimit, në vitin 1945, u emërua profesor në gjimnazin e Tiranës, ku dha Shqip dhe Latinisht. Në 1946 u emërua në Insitutin Teknik të Tiranës, ku qëndroi dy vjet si profesor i Shqipes. Nga 1948-49 transferohet në gjimnazin e Durrësit si profesor i Shqipes dhe Historisë. 

Lacaj kishte një kulturë të gjerë jo vetëm në fushën e Letërsisë por dhe në atë të historisë, filozofisë dhe teologjisë. Ai i binte flautit, bënte skica të mrekullueshme me laps, aktronte; pasioni i tij ishin opera dhe shëtitjet në natyrë. Deri sa mundi, përktheu pa pushim me një kaligrafi të admirueshme, megjithëse i dhimbnin nga shtërngimi i lapsit për orë të tëra. 

I qetë, i butë, i ditur kaloi një jetë në shërbim të vendit të tij.