Ka ndërruar jetë për shkak të një sëmundje të rëndë publicisti dhe dramaturgu shkodran Albri Brahusha. Lajmin e trishtë e ndau përmes rrjeteve sociale vëllai i tij. Përpara disa muajsh, ai ishte një nga kandidatët potencialë për të drejtuar teatrin “Migjeni”.

Albri Branusha dha një kontribut të rëndësishëm në disa fusha si në atë të drejtësisë, gazetarisë dhe letërsisë. Albri Brahusha shkroi disa drama. “Përrallat gënjejnë”, “Vizita e fundit” dhe “Ishulli i Shitenit”, u vunë në skenë në Teatrin “Migjeni”. Në vitin 2002 “Vizita e Fundit” u vu në skenë në italisht, në Trento (Itali), nga “Compagnia dell Attimo”, me regji të Hervin Çulit.

Gjithashtu ai ka shkruar edhe pjesët “Për Elizën”, “Eldorado”, “Uverturë me tetë gishta”, “Në vagonin e klasit të fundit” dhe “I harruar nën armë”, botuar në revista të ndryshme. Ai njihet edhe për botimin e vëllimeve me tregime “Ignorantia” dhe romanet “Qyteti i Shiut” dhe “Tetë e gjysëm”. Ndarja në moshën 50-vjeçare e dramaturgut shkodran Albri Brahusha është një humbje jo vetëm për familjarët dhe njerëzit e dashur por edhe për vetë Shkodrën, qytetin e tij.