Nga Gëzim Puka
Vizita e njerëzve në një muze është gjëja më normale, por jo për “muzeun” statik me personazhe stereotipe të dramës “Vizita e fundit“ të Albri Brahushës. Teksti i tij funksionon si montazh ironik i kohëve të shkuara. Autori përdor kundërvënien e kohës urgjente të ngjarjes që pritet të ndodhë, domethënë vizitës, dhe kohën e pafund të pritjes nga ana e Historisë dhe të gjithë personazheve që paraqesin të shkuarën aq “të lavdishme”.
Kjo e shkuar është shpesh e pranishme gjatë dialogut. Madje me bëmat e së shkuarës heronjtë e pavionit fillojnë të maten me njëri-tjetrin. Nga ana përmbajtësore këta janë disa personazhe klishe ose simbole të stereotipizuara, që janë marrë ironikisht nga paradigma kohore e historisë, e cila i ka prodhuar.
“Pa mua nuk do të ishit heronj, por njerëz të zakonshëm, të harruar në turma dhe në varret e pafund e të paemër të botës, do të përpëliteshit baltrave duke shërbyer si ushqim për barërat e këqija për të dalë prej tyre pastaj kështu siç jeni farë të këqija” (Brahusha, Albri: Vizita e fundit, Teatri “Migjeni”, Shkodër, 1997, f. 12.)
Përmes këtij dialogu, prodhohet konflikti me anë të të cilit strategjia autoriale bën të mundur asgjësimin e Historisë (si rrëfimtare ngjarjesh, faktesh dhe ndodhish) dhe të barazvlershmit të saj në kohërat më moderne, televizionit, që shfaqet si një tjetër personazh në këtë dramë.
Drama e Brahushës “Ishulli i Shitenit” fillon me një hyrje jo të zakonshme dhe përfundon pa një fund. Zhvillimi nga kuptimi i caktuar drejt pakuptimësisë së përgjithshme është i pranishëm brenda këtij teksti letrar. Ky tip teksti ka një rrjedhë ritmike dhe emotive. Si përfundim, në lidhje me dramën “Ishulli i Shitenit” të këtij autori, mund të themi se zhvillimi dramatik varet nga një proces i dyfishtë: kuptimësi-pakuptimësi, si dhe nga shpejtimi i vrullshëm i ritmit që përcillet me rritjen e tensionit.
Ja se çfarë shkruan autori në një fletëpalosje të shfaqjes “Ishulli i Shitenit”, përmes së cilës i uron mirëseardhjen spektatorëve:
Hyrje në Ishull. Ishulli i Shitenit është një vend virtual. Banorët e tij po ju ftojnë të ndiqni një situatë, e cila ka ndodhur mijëra vjet përpara ose do të ndodhë mijëra vjet prapa. Ishulli nuk ndodhet në mes të detit, por në mes të fantazisë suaj, ku format, ngjyrat, tingujt dhe numrat përzihen për të krijuar idetë. Ishulli është krijuar bashkë me ju. Ai ka formën e një mase të palëvizshme, që quhet humanizëm. Ndaj idesë përpara se të shfaqet, i duhet të ndalet në Ishull, për të marrë trajtën përfundimtare. E gjithë kjo ndodh në harkun e disa sekondave dhe shpesh kur ju ndiheni të vetmuar. Ndërkohë po ju paraqitet një orë e gjysmë për efekt reflektimi. Mirë se erdhët në Ishull!
