Data 5 shkurt shënon ditën e fundit sa i përket dorëzimit të aplikimeve për projektet e reja artistike. Burime pranë Bashkisë së Shkodrës bëjnë me dije se në Zyrën e Protokollit ka patur interes nga ana e aplikantëve për të paraqitur projektidetë e tyre.
Të interesuarit nuk kanë qenë vetëm nga Shkodra por edhe përtej. Duhet thënë se thirrja e hapur u shpall në ditët e para të muajit dhjetor ndërsa ishte parashikuar të zgjaste deri më 25 janar por ajo u shty deri më 5 shkurt.
Fituesit e projekteve të reja artistike pritet të mësohen në ditët në vazhdim pasi të kenë kaluar fazën e përzgjedhjes së tyre nga një komision i posaçëm. Pak ditë më parë gjatë një konference për mediat, drejtuesi i teatrit “Migjeni”, regjisori Arian Çuliqi bëri me dije se institucioni që ai drejton pritet të ketë një kalendar të ngjeshur aktivitetesh.
Një nga risitë e tij do të jetë organizimi i festivalit mbarëkombëtar të humorit me pjesëmarrjen e disa qyteteve dhe trevave shqiptare për disa ditë me radhë gjatë muajit maj.
Përgjatë këtij viti pritet të jetë në vëmendjen e teatrit “Migjeni” bashkëpunimi me institucionet kulturore të qytetit të Prizrenit, ku në fokus do të jetë organizimi i aktiviteteve të përbashkëta artistike. Ato pritet të lidhen edhe me zhvillimin e dramave dhe komedive premierë në këtë teatër.
Viti 2024 shënon 75-vjetorin e krijimit të tij si teatër profesionist, me ç’rast është menduar të shoqërohet edhe me organizimin e aktiviteteve që kanë si qëllim evidentimin e figurave dhe personaliteteve që e kanë ngritur në piedestal emrin e teatrit “Migjeni”, i vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
