Bashkia e Shkodrës nisi zbatimin e projektit për rivitalizimin kulturor të hapësirave publike.

Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci i cili postoi në rrjetet sociale elementin e parë të vendosur në rrugë.

“Kemi nisur zbatimin e një projekti kompleks si “Rivitalizimi Kulturor i Hapësirave Publike”. Është vendosur elementi i parë kompozues, një “prekje artistike”, e kuruar me kujdes dhe e instaluar nga skulptori Petrit Bilali dhe disa studentë të departamentit të arteve, Shkodër”, u shpreh Beci.

“Xhubleta”, tematika e përdorur në rrugën e parë pilot është pasuri botërore e Trashëgimisë Jomateriale, tashmë në listat e UNESCO-s. Elementet dekorative të saj janë pasuri artistike, pasuri simbolike, estetike dhe liturgji e besimeve të lashta. Janë përzgjedhur disa nga “Totemet” e Xhubletës dhe janë sjellë si një vepër publike. Vetë gjuha e përzgjedhur “Mozaiku Artistik” është komponent i Trashëgimisë Kulturore, i cili njëkohësisht trajtohet si një gjetje rastësore arkeologjike. Për më tepër arti shijohet dhe ka elementin surprizë”, vijon Beci.

Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i zbatimit të këtij projekti që i kthen hapësirat publike në hapësira kulturore.