Orët e fundit ka qarkulluar një lajm i çuditshëm për shkrirjen e Teatrit “Migjeni”. Komentet dhe hamendësimet kanë qenë të shumta për fatin e institucionit të vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në fakt, asgjë nuk duket e vërtetë. Vetë drejtori Arian Çuliqi e ka thënë shkurt e në ligjeratë të drejtë.
Në fakt, në mbledhjen e fundit për 2023-in, Këshilli Bashkiak i Shkodrës mori një vendim për institucionet kulturore që janë përfshirë në një proçes ristrukturimi, në të cilat është krijuar një ndërmarrje e vecantë për mirëmbajtjen e tyre me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Objekteve Publike. Ndërkohë që menaxhimi i këtyre institucioneve si teatri, galeria, biblioteka, muzeu, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, do të vijojë me tagër të drejtuesve të këtyre institicioneve që do të merren totalisht me krijimtarinë artistike dhe kulturore të tyre.
Mbetet të presim që Teatri “Migjeni”, stafi, aktorët e artistët të prodhojnë art dhe vlera. Sa i përket mirëmbajtjes së ambjentit, përmirësimit të kushteve për punonjësit dhe artëdashësit, tashmë mendon një ndërmarrje tjetër.
