Rënojat e Malit të Shelbuemit (Akrolisi) mbi qytetin e Lezhës janë shpallur Monument Kulture, Kategoria I në vitin 1973 dhe përbën një prej pasurive arkeologjike në arealin verior.

Akrolis/Lis përmendet nga Polybi: “Filipi V pasi arriti në vend vuri re se Lisi ishte përforcuar shumë mirë… nga natyra dhe dora e njeriut. Akrolisi që ishte pranë kishte lartësi aq të madhe dhe ishte aq i fortë, sa që dhe një sy të vetëm të hidhte njeriu do të kuptonte se pushtimi i tij ishte i pamundur”.

Kodra e Akrolisit që vendasit e njohin si e T’Shëlbuemit, rrëzohet drejt perëndimit, drejt pllajës që pararend Akropolin e Lisit, me pjerrësi tepër të madhe. Në anët e tjera shpatet e zbresin me butë në fushë. Nga maja ka një horizont të gjerë që nga liqeni i Shkodrës e deri në Durrës.
Mali i Shelbuemit, përfundon me një syprinë kurrizore (300 x 60 m).

Ky konfiguracion kushtëzoi trasenë e murit i cili ndjek skajet e kurrizit duke rrethuar një sipërfaqe prej 1,50 hektarësh. Në trasenë e mureve dallohen dy faza nga të cilat e para e periudhës I të hekurit. Muret e fazës së I-rë i përmbahen me valëzime të lehta të njëjtit reliev. Muret, 3,20 m të gjerë, përbëhen nga dy këmishë me blloqe prej guri gëlqeror të thyer, por të palatuar, në formë paralelopipedi dhe mbushja e mesit, me gurë të papunuar dhe çakëll.

©️ Informacion i marrë nga “DRTK Shkodër” në rrjetet sociale