“Marshimi i Përvitshëm” e ka zanafillën e vet rreth 13 vjet më parë në filim të muajit janari në vitin 2010, atëhërë kur Kastriot Faci organizoi për herë të parë një marshim në malin e Taraboshit me pjesëmarrjen e 50 fëmijëve dhe të rinjve nga qyteti i Shkodrës dhe Komuna Ana e Malit. Të gjithë ata ishin pjesë e ekipeve të futbollit për vajza dhe djem, të ngritur në bashkëpunim me kolegë të tjerë dhe të mbështetur nga organizata “The Door”.
Me kalimin e viteve marshimi u kthye në traditë dhe realizimi i tij ishte çdo javë të parë ose të dytë të fillimvitit të ri. Kjo ngjarje vazhdon akoma dhe tani ku tashmë organizimi është më i zgjeruar dhe ka kaluar hapësirat gjeografike të Shkodrës sa i përket pjesëmarrësve në këtë ngjarje.

Në vitin 2017, Kastrioti së bashku me një grup miqsh themeluan Klubin “Taraboshi Shkodër”. Klubi është një bashkim vullnetar dhe qëllimi i tij e njëkohësisht motoja e tij është: “Të jetojmë miqësisht me natyrën, promovojmë vendin tonë, malin e Taraboshit dhe të argëtohemi në miqësi të shëndetëshme me njëri-tjetrin.”
Këtë vit në datat 13-14 janar u realizua edicioni i 14-të i Marshimit të Përvitshëm. Një darkë festive priti të gjithë pjesëmarrësit e shumtë në një nga restorantet e qytetit. Mysafirët e rastit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga Shkodra u mikpritën nga anëtarët e Klubit “Taraboshi Shkodër”. Muzika popullore shkodrane dhe ajo e mbarë trevave shqiptare u interpretua shumë këndshëm nga këngëtarja Orjeta Kelaj nën shoqërimin e maestro Ilir Zogës.
“Gryka e Kaçanikut”, një këngë e kompozuar nga dy shkodranë, i madhi Pjeter Gaci dhe Paulin Shtjefni me rastin e koncertit të Ansamblit Kombëtar në Kaçanik në vitet 1980, u këndua në mbyllje të festës nga të gjithë të pranishmit.

Çmimin e Lotarisë për albumin fotografik “Homeland II” me autor Fation Plakun, fotograf i aventurës, e fitoi Ismal Lama.

Organizatorët drejtuan falenderime speciale për guidat udheheqëse: Lodovik Zefi, Gjon Gjeka, Alket Camaj, Arian Ibershimi dhe arkeologun Helidon Sokoli. U ndanë dhe çertifikatat e mirënjohjes për disa nga anëtarët më aktivë të klubit si dhe për klubet e tjera pjesëmarrëse nga larg si:
• SHBA Prishtina, Kosovë
• SHBA Kaçaniku, Kosovë
• HAC Angros (Viti), Kosovë
• Gryka e Dervenit, Maqedonia e Veriut
• SHBA Pashtriku Gjakova, Kosovë
Të nesërmen, me datë 14 janar 2024, takimi dhe nisja u realizuan nga fshati Guri i Zi në orën 08:20. Ecja në një nga kreshtat me panoramën më të bukur në qarkun e Shkodrës përfundoi në Ganjollë. Shtegu është me gjatësi rreth 9 km dhe me mundësi vëzhgimi 360° sidomos nga Maja e Shllimit. Prej aty, shikimi të shkon larg dhe vëzhgon Malet e Cukalit, Maranaj, Rumija, Taraboshi, Shita e Hajmelit, dy Majat e Velës, liqenin e Shkodrës, liqenin e Vaut të Dejës dhe detin Adriatik si dhe fushat e Zadrimës dhe Mbishkodrës dhe lumejtë Drini dhe Buna.



