10 miljonë turistët që vizituan vendin tonë përgjatë 2023-shit patën ndikimin e tyre në sektorin e turizmit. Vendi ynë regjistroi një rekord historik në këtë aspekt. Duke nisur nga plazhet me ujëra të kristaltë e deri tek bukuria dhe magjia e Alpeve, Shqipëria u bë “kryefjalë” e mediave prestigjoze botërore duke u renditur si një nga destinacionet më të lira dhe ekonomike të kontinentit.
Rritje të numrit të vizitorëve përgjatë vitit 2023 pati edhe në institucionet e trashëgimisë kulturore dhe monumente, madje duke e tejkaluar edhe rekordin e vitit 2019. Në vitin që lamë pas, 1.005.815 persona vizituan këto objekte të kulturës ose 46% më shumë se në vitin 2022.

Të ardhurat nga biletat në institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore njohën po ashtu rritje të ndjeshme. 43.22% më shumë se viti 2022 dhe 133.92% më shumë se viti 2021 rezultojnë të ardhurat e mbledhura në vitin 2023 nga biletat në institucione, parqe arkeologjike, kala e monumente kulture. Kjo përkthehet në më shumë shërbime dhe mirëmbajtje të turizmit kulturor.

Numri i lartë i turistëve që vizituan vendin tonë u reflektua edhe në kalanë “Rozafa” që shënoi një numër rekord vizitorësh. Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2023, “Rozafati” u vizitua nga 125737 turistë vendas e të huaj, ndërsa gjatë vitit 2022 nga 94260 vizitorë. Krahasuar me atë vit, kalaja u vizitua nga 31447 persona më shumë.
Rritje të numrit të vizitorëve pati edhe kalaja e Lezhës. Nga dita e parë e vitit 2023 deri në fundin e tij, ajo regjistroi 4552 vizitorë ndërsa në vitin 2022 vetëm 3467 vizitorë. Shifrat flasin për një rritje prej 1085 vizitorësh më shumë.

Një atmosferë të jashtëzakonshme shkëmbimi e njohjeje kanë krijuar përgjatë muajve prill – nëntor, Javët e Kulturave Ndërkombëtare. Në edicionin e dytë Shqipëria mikpriti 18 shtete dhe organizata ndërkombëtare me kulturat, traditat dhe eksperiencat e tyre. 512 artistë të huaj në 288 aktivitete gjallëruan jetën artistike e kulturore, jo vetëm në kryeqytet por edhe në Shkodër, Korçë, Vlorë etj.

