Ai erdhi në Tirane 11 vjeç. Pak vite iu deshën që të përshtatej dhe njerëzit të kuptonin që kishin të bënin me një talent. Arriti gjithçka, u formua si një personalitet i shquar në fushën e muzikës. I përkushtuar, serioz , mbi të gjitha ajo që e dallonte ishte mirësia ndaj njerëzve, e në veçanti për t’u marë me fëmijët duke i futur atyre dashurinë për muzikën.
Janë me mijëra fëmijë, të cilët e kanë ndjerë dhe provuar atë, me qindra talente që prof. Roberti iu ka dhënë një shtysë, për t’u bërë ato dikushi, me dhjetëra super talente, të cilët janë mbështetur e përkrahur nga ai, pa të cilin ndoshta nuk do ishin ato që u bënë.
Ermonela Jaho është këngëtare që e duartroket e i përulen me respekt gjithë bota muzikore, ndërsa ajo kujton, respekton e nderon prof. Robertin. Po kështu, Inva Mula e mjaft të tjerë. Jeta i erdhi e vështirë Bertit. Shumë vite më parë, bashkëshortja i ndërroi jetë në moshë të re, duke i lënë dy djem të mitur. Nuk u martua! Vendosi t’i rriste vetë djemtë e tij. U bë për to edhe “nënë” edhe baba.
Një artist që nuk u përkujdes kush për të, ai u përkujdes për djemtë e për këdo që kërkonte ndihmën e tij. Tani që ka mbushur 85 vite, hapat i janë ngadalësuar vërtetë, po buzeqeshja është po ajo, e çiltër, njerëzore. Portreti i tij rrezaton mirësi, ah një mirësi që i buron nga thellësia e shpirtit. Nuk mund të bësh një copë rrugë me të, se dhjetëra njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme e ndalin, i marin dorën, e përqafojnë.
Tani vonë, ai diku ka thënë: “Kur ta mbyll këtë jetë, më çoni në Shkodër, në Rrenc.” Është e dhimbshme ta mendosh e jo më ta humbësh një njeri të tillë, si një fenomen njerëzor, që dikur do të ndodhë (ardhtë sa më vonë), do i thoja prof. Robertit, mik i dashur, vendpushimin e pasosur zgjidhe aty ku të duan dhe jo aty ku bëjnë sikur të duan.
Shkruan në Facebook Sokol Parruca
