Gazeta e njohur “New York Times” i ka renditur Alpet Shqiptare si një prej destinacioneve kryesore për t’u vizituar gjatë 2024.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar nga “New York Times”.

“Për vitin 2023 ishte Vjosa sugjerim i NYT, ndërsa tani propozohet një tjetër Park Kombëtar – Alpet e veriut, me Thethin e Valbonën, si zgjedhja perfekte për të apasionuarit pas natyrës që duan të përjetojnë eksperienca unike të mikpritjes”, theksoi Rama.

“New York Times” shkruan se “Vargmali i largët malor në Shqipërinë veriore, i njohur si Bjeshkët e Nemuna, ose Alpet Shqiptare (edhe pse arrin edhe në Mal të Zi dhe Kosovë), ka mahnitur prej vitesh alpinistët që kërkojnë qetësi midis majave të tij”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e botuar nga “New York Times”.

Ndërkohë që vitin e kaluar Alpet Shqiptare janë renditur mes 13 vendeve më të bukura për ski në Evropë.

Parku Kombëtar i Alpeve gjatë vitit të kaluar ka qenë një ndër destinacionet më të vizituara në vendin tonë. Lumi i Gashit, Lugina e Valbonës, Thethi, Vermoshi dhe Boga nga janari deri në dhjetor të 2022 u vizituan nga 230 944 turistë.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit janë të pakta dhe në gjendje të keqe.