Kalaja “Rozafa” është një realitet i ri turistik. Themi kështu pasi numri i vizitorëve në të vijon të jetë gjithnjë e në rritje. Turistët vendas dhe të huaj nuk kanë reshtur së vizituari këtë park arkeologjik edhe në këto ditë të para të vitit. Nga ora 09:00 deri në 16:00, kalaja “Rozafa” është e hapur çdo ditë për ta.
Mbi 1 mijë vizitorë e kanë parë nga afër këtë sit arkeologjik në ditët e para të janarit. Ata vijnë nga Lezha, Tirana, Kosova e madje edhe nga Kina e largët për t’u njohur me historinë e saj si dhe për të shijuar panoramën e mrekullueshme të qytetit që kjo kala ofron nga lart.
“Vij nga Pekini dhe lashtësia e këtij objekti më krijon ndjesinë sikur jam në vendin tim pasi kemi shumë të tilla dhe kujdesemi për to. Një emocion i vërtetë vizita këtu dhe sigurisht pamja është fantastike pasi nga këtu ku jemi shikohet i gjithë qyteti. Më ka pëlqyer shumë Shkodra dhe do ja rekomandoj edhe miqve të mi”, shprehet një turiste kineze.
Muzeu i kështjellës është një tjetër pikë e rëndësishme e saj pasi aty vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me dëshmi dhe artefakte të banimit të Shkodrës në periudha të ndryshme historike.
Mbajtja pastër e hapësirës në tre oborret e kalasë është një nga detajet që veçojnë vizitorët. Kalaja “Rozafa” theu rekord vizitueshmërie në vitin 2023 teksa u regjistruan 125737 vizitorë ose 31447 më shumë se në vitin 2022.
