Ramë Lahaj vazhdon të jetë njëri prej tenorëve më të suksesshëm shqiptar, ku ai nuk i ka ndalur udhëtimet dhe turnetë nëpër botë në mënyrë të vazhdueshme.

Më i fundit ishte pjesëmarrja në koncertin e zhvilluar në fillim të vitit në teatrin “Verdi” në Padova të Italisë. Interpretimi i tij përkrah Orkestrës Simfonike të këtij qyteti u prit mjaft mirë nga spektatorët e pranishëm në sallë.

“Bishtalecat palë palë”, një interpretim operistik nga Ramë Lahaj i veprës artistike të Luçie Milotit dhuroi emocione të bukura për çdonjërin që ndodhej aty.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur muzika shqipe udhëton nga një shtet në tjetrin, e nga një orkester në tjetrën”, shkroi Lahaj në rrjetin social Facebook.

“Ajo për ditë pasurohet bashkë me kulturën e vlerat tona. Në koncertin e Vitit të Ri në Teatro Verdi në Padova, muzika shqipe buçet mes kompozitorëve të mëdhenj… Gëzuar miq. Të mira paçi gjithmonë. Ju dua!”, përfundon postimi i tij.