Kalaja e Shurdhahut ngrihet mbi një kodër shkëmbore me lartësi 130m, në bregun e djathtë të lumit Drin, rreth 8 km në jug të qytetit të Shkodrës. Dikur kjo kodër lidhej nëpërmjet një qafe të ulët me vargun e kodrave që shtriheshin në bregun jugor të këtij lumi, por me krijimin e liqenit artificial të hidrocentralit të Vaut të Dejës, kodra e Shurdhahut u kthye në ishull.

Kalaja e Shurdhahut daton në fundin e shek. XII ose nga fillimi i shek. XIII, por lulëzimin më të madh si qytet e pati në shek. XI. Rreth vitit 1184 Shurdhahu u pushtua nga serbët, më vonë ka qenë nën juridiksionin e familjes feudale shqiptare të Dukagjinëve dhe më 1491 u pushtua nga turqit. Në këtë periudhë qyteti pësoi një rënie të vazhdueshme, derisa pas shek. XVII, emri i tij nuk përmendet më.

Muret mbrojtëse e ndajnë qytetin në dy pjesë: në qytetin e sipërm, që zë majën e kodrës, dhe në të poshtmin që zë shpatin e saj nga veriu, lindja dhe jugu. Si muri rrethues i sipërm ashtu dhe i poshtmi janë pajisur me kulla, që kanë formën e shkronjës U, trekëndëshe dhe katërkëndëshe, por nuk janë vendosur në distanca të caktuara, veç diku kemi grumbullime kullash të vendosura pranë njëra- tjetrës dhe diku linja të gjata muresh pa asnjë kullë. Kalaja rrethon një sipërfaqe prej 4, 7 ha.