Teatri “Migjeni” mblodhi spektatorët shkodranë në aktivitetin e fundit për vitin 2023 në këtë tempull të kulturës. “Ndërmendje”, koncerti tradicional i fundvitit pati si protagoniste Orkestrën Simfonike të Shkodrës nën drejtimin e Maestro Jetmir Barbullushit. Kjo natë artistike erdhi nën moderimin e Arlinda Çaushollit dhe u kompletua nga disa prej artistëve të mirënjohur shkodranë dhe ata të rinj që interpretuan pjesë të njohura të kompozitorëve vendas dhe botërorë.
Kësaj feste të fundvitit ia shtuan bukurinë interpretimet e korit “Prenkë Jakova” me drejtues Gjon Shllakun dhe artistëve të vegjël të QKF “Kujtim Alija”. E ftuar e veçantë e kësaj mbrëmje ishte sopranoja nga Kosova Adelina Paloja. Natë e veçantë ishte edhe për tenorin shkodran Riad Bashi që rikthehet të këndojë në teatrin “Migjeni” pas 7 vitesh.
Koncerti “Ndërmendje” solli në skenë edhe këngëtaren Myfarete Laze ndërsa “Marshi i Fiskulturistëve” ngriti në këmbë spektatorët e njëkohësisht shënoi fundin e një tjetër edicioni të tij. Ai do të vijë i plotë gjatë ditëve në vazhdim për të gjithë shikuesit e rrjetit të RTSH.
