“Takim me historinë”, kështu mund të perifrazohet ndjesia që të krijon hapësira e mbushur me artefakte mbi një shekullore e ideatorit të saj Ndoc Shaben, në fshatin Plezhë, 14 km larg Shkodrës. Në të gjenden makina shkrimi, radio, gramafonë e shumëçka tjetër. Zotëruesi i tyre, thotë se ideja për të krijuar një oaz të tillë lindi 10 vite më parë.

Në këtë mjedis me karakter muzeal gjenden veshje të zonës së Zadrimës dhe të trevave të tjera të veriut, mes tyre dhe xhubleta. Prej kohësh, Ndoc Shaben po merret edhe me skanimin e mijëra filmave të vjetër fotografikë që dokumentojnë jetën në veri të vendit.

Qëllimi i krijimit të kësaj hapësire është që ajo të shndërrohet në muze të mirëfilltë por për realizimin e tij, i duhet mbështetje, të cilën nuk e ka gjetur.

Pasioni me të cilin ka krijuar këtë ambient, koleksionistit me origjinë nga Hoti i Malësisë së Madhe, Ndoc Shaben, i dallohet qartë. Ai shpreson që një ditë, një pasuri e tillë e trashëgimisë kulturore, të bëhet lehtësisht e vizitueshme për këdo, brenda një mjedisi dinjitoz.