Si asnjëherë më parë sheshi para bashkisë në Shkodër, i shndërruar në “oazin e festave” me titullin “Gzo n’Shkodër”, u “pushtua” i gjithi nga qytetarët që kishin ardhur për të ndjekur koncertin e dy artistëve të suksesshëm të tregut muzikor nga Kosova, Mc Kresha dhe Lyrical Son. Disa nga hitet e tyre ndër vite, mes të cilave edhe “Era”, e bënë atmosferën akoma edhe më ekzaltuese.

Nuk munguan në këtë natë as këngët shkodrane, të kënduara nga dy artistët e mirënjohur teksa mbanin veshur simbolet e Vllaznisë, si dy tifozë të saj, deklaruar kohë më parë gjatë intervistave në media. Herë pas here publiku shoqëronte këngët e tyre njëzëri me to.

Pamje nga koncerti

Fundi i koncertit ishte jo pak sfidues për artistët që u rrethuan nga turma e publikut që dëshironte t’i prekte nga afër idhujt e tyre. Pak para koncertit, dy këngëtarët Mc Kresha dhe Lyrical Son, u pritën në mjediset e bashkisë nga vetë kryetari i saj Benet Beci.

Atmosfera e festave të fundvitit në Shkodër ka nisur që në ditën e parë të dhjetorit për të vijuar deri në momentin e ndërrimit të viteve. Çdo mbrëmje, artistë të ndryshëm janë bërë pjesë e saj, me koncertet që japin në shesh, duke përcjellë energji dhe adrenalinë jo vetëm tek vendasit por edhe vizitorët, të cilët kanë preferuar që në këto ditë dhjetori të shijojnë “magjinë” e festave të fundvitit në Shkodër.