“Një poezi – një pikturë” ishte projekti që u realizua me sukses nga studentët e Masterit “Mësuesi Arti Pamor” si edhe ata të “Gjuhë shqipe – Letërsi” të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nën drejtimin e profesorit Gëzim Puka. U lexuan poezi të emrave të shquar si Mjeda, Fishta, Migjeni, Çajupi, Asdreni, Poradeci, Kadare, Agolli, Arapi, Podrimja, Rreshpja etj. Studentët e Arteve, poezitë e përzgjedhura, i kishin “përkthyer” në piktura dhe duke i shndërruar këto orë mësimore në ato që mbahen mend gjatë.
“Shpresoj që këtë ndjesi pozitive ta kenë pasur kolegët dhe studentët që iu bashkuan kësaj ore, ku artet dialogojnë”, shkruan në postimin e tij në rrjetet sociale Gëzim Puka.
Projekte apo punime të tilla që nxisin aftësitë krijuese tek studentët dhe synojnë mbështetjen e tyre mbeten përherë një model i mirë i punës që bëhet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” nga stafi akademik i saj.
