Mes emocionesh, performacash, ritmesh, baladash por edhe të ftuarve specialë, është përmbyllur nata e parë e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Publiku mirëpriti me duartrokitje 16 këngë që tashme do jenë pjesë e fondit të artë të këngës së lehtë shqiptare.
Umberto Tozzi ishte i ftuari special i natës së parë të Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH. Publiku në sallë por edhe gjithë teleshikuesit shqiptarë patën mundësinë të dëgjonin këngët e tij më të njohura. Kënga fituese e Festivalit të 62-të në RTSH do të shpallet nga një juri profesioniste e përbërë prej 11 personalitetesh. Juria ka emrat më të shquar të artit, këngëtarë, kompozitorë, orkestrantë dhe shkrimtarë.
Votimi për të përzgjedhur këngën e cila do të dërgojë Shqipërinë në Festivalin e këngës europiane do të hapet në fund të natës së dytë dhe do të qëndrojë i hapur deri në fund të natës së fundit të festivalit. Vota e publikut përzgjedh këngën që do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
Parafestivali është një risi që vjen këtë vit i menduar nga organizatorët si një pritje në tapetin e kuq për të gjithë artistët, prezantuesit por edhe anëtarët e jurisë. Nata e parë e Festivalit të Këngës ka patur shikueshmëri dhe ecuri të kënaqshme edhe në rrjetet sociale.






















