Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës organizoi ceremoninë e mbylljes së vitit kalendarik në mjediset e brendshme të Qendrës Rinore “Atelie”. Ishte një vit i gjatë, me sfida por edhe suksese ndërsa pjesëmarrës në takimin e fundvitit ishin shkrimtarët që janë anëtarë të shoqatës.
Në njërin prej këndeve qëndronin të ekspozuara veprat e tyre letrare. Takimi i emërtuar “Jehona poetike” erdhi përmes copëzash dhe vargjesh poetike, interpretuar nga gazetarja Kozeta Bruçi.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte edhe vlerësimi i disa prej shkrimtarëve me kontribut të vyer dhe krijimtari të pasur letrare me çertifikata “Mirënjohje”. Nuk munguan as tingujt e kitarës si një vijë melodike që shoqëronte disa nga interpretimet poetike. Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës do ta presë vitin e ri me projekte të reja ku synohet mbështetja e tyre nga ana e institucioneve drejtuese.
