Promovimi i trashëgimisë së pasur kulturore jomateriale, këngëve folklorike, xhubletës, lahutës dhe instrumenteve të tjerë popullorë jehuan mes atmosferës së zjarrtë që ndezi publikun e pranishëm të teatrit “Migjeni” në Festivalin Burimor “Treva 2024”.

Këngëtarë lirikë nga treva të ndryshme të veriut dhe diaspora si dhe artistët e humorit përcollën emocione të bukura në këtë mbrëmje ku tradita ishte “kryefjala” e saj.

Rapsodë të rinj iu bashkuan festivalit për herë të parë me krijimet e tyre. Festivali Burimor çdo vit sjell krijime të reja duke pasuruar folkun edhe më shumë.

Ky ishte edicioni i 20-të i organizimit të festivalit burimor “Treva”. Ai zhvillohet çdo vit në prag të festave të dhjetorit ndërsa qëllimi i tij është ruajtja e traditës së këngëve dhe valleve tradicionale të trevës së Dukagjinit dhe përtej.