Nuk është e lehtë që në përmasat e këtij materiali të përshkruhet e të thuhet gjithçka rreth një figure me vlera kaq të mëdha në fushën e artit dhe muzikës, që i kalon kufijtë kombëtarë, siç është kompozitori i shquar shkodran, Mark Kaftalli për të cilin do të shkruajmë sot.

Përveç talentit, që u lind bashkë me të, ishte dhe qyteti i Shkodrës që rriti shumë artistë të shquar, qyteti që e përkundi me melodi dhe këngë të cilat u bënë që në fëmijërinë e tij një “ushqim shpirtëror” që do të rriste një talent të madh. Ky pra ishte krijuesi dhe kompozitori i ardhshëm, “Paganini shkodran” i violinës, që do të shkruante historinë e tij në librin e madh të kulturës shqiptare.

Per të krijuar një njohje më të gjerë rreth jetës dhe veprimtarisë së kompozitorit Mark Kaftalli, le të njihemi me disa nga momentet më interesante që e shënjuan atë. 

Mark Kaftalli ka lindur në Shkodër, me 14 dhjetor 1933. Kreu kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, nën drejtimin e mësuesit Zef Alimhilli në vitet 1949 – 1952. Më vonë, në vitet 1952 – 1955, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë, ku vazhdoi studimet për violinë nën kujdesin e kompozitorit-violinist Nikolla Zoraqi. 

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1955 deri në vitin 1969, punoi nën kujdesin personal të kompozitorit Prenkë Jakova për mësimin e harmonisë dhe kompozicionit.

Është prezantuar për herë të parë në Shtëpinë e Kulturës, të qytetit të Shkodrës me orkestrën e madhe dhe korin e këtij institucioni, ku Gjon Saraçi ishte në piano dhe Prenk Jakova ishte shefi dhe drejtuesi i muzikës. Suksesi i Mark Kaftallit ishte befasues për nga talenti i tij i jashtëzakonshëm. Karriera e tij deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje për 30 vite në Teatrin “Migjeni”, si udhëheqës artistik.

Kompozitori dhe instrumensti i madh shkodran, Mark Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër, ku me kontributin dhe punën e tij profesionale, si dhe të kompozitorit Prenk Jakova me një orkestër të përbërë prej 15 instrumentistësh pati një sukses shumë të madh. Po në këtë vit u realizua dhe festivali i parë i muzikës së lehtë në Tiranë. 

Në festivalin e parë të kompozitorëve amator, Marku fitoi çmimin e parë me këngën “Vallë çka dru” me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë ai. Këtë këngë e kënduan Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula. Karriera e Markut vazhdoi me qindra koncerte në të gjithë Shqipërinë, si dhe festa, dasma e gëzime familjare me performanca të ndryshme dhe me kolegë shumë të afirmuar në këtë zhanër muzikor. 

Mbi 30 vite si violinist ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe. Që në krijimin e shkollës së muzikës (sot Shkolla Artistike Kombëtare “Prenkë Jakova”), Mark Kaftalli punoi si mësues violine (i jashtëm), me nxënës si: Lorenc Mosi, Angjelin Gjoni, Çesk Marashi, Edi Ndoja, Nimet Salabegu e të tjerë.

Ka marrë pjesë si violinist në formacione të ndryshme artistike në turne jashtë Shqipërisë si: Turne me Ansamblin e Ushtrisë në Kinë, Kore, Vietnam, Mongoli si dhe në ish-Bashkimin Sovjetik (1955), me formacion miks-popullor në Rumani (1971), me Orkestrën e Radio Shkodrës, në Kosovë (1980), me orkestrën e Shtëpisë së Kulturës në Turqi (1981), me orkestrën private në Francë e Gjermani (1994), si dhe gjatë viteve 1994 – 2005 në Kosovë e Mal të Zi, i ftuar si violinist. 

Që nga viti 1967, Mark Kaftalli ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.  Është nderuar me çmime të shumta, si dhe me urdhrat: “Naim Frashëri” i klasit të dytë në vitin 1969 dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë në vitin 1983.

Emri dhe suksesi i mjeshtrit të jareve shkodrane, Artistit të Merituar Bik Ndoja dhe Artistit të Merituar Shyqyri Alushi, janë produkt i punës së palodhur dhe profesionale që kompozitori Mark Kaftalli bëri me këta artistë. 

Shkodra ka shumë kompozitorë dhe artistë të dëgjuar, por kompozitori Mark Kaftalli ka arritur të shkruaje posaçërisht për formacionin “Classic Sound’s” dhe e ka drejtuar atë në një pjesë kohe të mirë gjatë koncertit që u organizua në Teatrin “Migjeni” me rastin e 75 vjetorit të lindjes së tij, të cilin e kanë shoqëruar edhe pse në moshë, Florinda Gjergji dhe i madhi i këngës shkodrane Bik Ndoja. Në sallën e mbushur plot të teatrit “Migjeni”, vite me radhë janë përhapur tingujt muzikor të këngëve shkodrane dhe sidomos të albumit të përmbledhur të Kaftallit titulluar “Lumturia nuk dhurohet”, kënduar dikur nga Tonin Tërshana. 

Duhet thënë se shumë personazhe të muzikës sonë kombëtare, sukseset e tyre ja dedikojnë kontributit që mjeshtri Mark Kaftalli, ka dhënë në vite. 

Mark Kaftalli për disa vite ka drejtuar dhe udhëhequr orkestrën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës të përbërë nga muzikantët e talentuar: Zydi Barbullushi (fizarmonikë), Ylli Drishti (kitarë), Çesk Çefa (kitarë bas), Fuat Miloti (bateri), Memli Salabegu (klarinetë), Nazmi Lishi (fizarmonikë), Njazi Burgia (bateri), Gani Tahiri (trombe), Muhamet Grimci (klarinetë), Gjovalin Doda (saks klarinetë), Abdulla Haxhija (trombe), Abdulla Salabegu (kitarë) e të tjerë. 

Mark Kaftalli është një nga emrat e njohur të muzikës shqiptare. Si kompozitor ka marrë pjesë në shumë festivale të këngës në Radio -Televizion, në festivalet e këngës popullore dhe të këngës për fëmijë. Ai ka kompozuar mbi 750 këngë, transkriptuar dhe harmonizuar mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli është autor i shtatë operetave. 

Sipas specialistëve të muzikës, Kaftalli radhitet ndër emrat që kanë dhënë kontribut të madh në përgatitjen e talenteve të reja. Mjeshtrit Kaftalli, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i akordoi edhe titullin “Mirënjohje e Qytetit”, në natën e spektaklit me këngëtarët më të mirë shkodranë, që u organizua në Teatrin “Migjeni” në vitin 2008. 

Duhet vlerësuar se Albumi i dirigjentit, instrumentistit dhe kompozitorit shkodran Mark Kaftalli, i prodhuar pikërisht në 75 vjetorin e tij, ka melodi të jashtëzakonshme shkodrane të dala nga shpirti i artistit të madh, që gjatë gjithë jetës ka prodhuar vetëm melodi shkodrane me muzikalitet unik. Në këtë album përveç këngës “Lumturia nuk dhurohet” është edhe ajo e titulluar “Përherë me Këngë” dhe po ashtu “Ndalu Vashë”. Ky album përbën edhe një nga sukseset e këngës shkodrane si në muzikë qytetare, dhe atë të lehtë, tradicionale të kulturës së këtij qyteti.  Kaftalli është krijuesi i qindra këngëve qytetare të kryeqendrës së veriut.

Kompozitori shkodran është nderuar dhe me titullin “Prenkë Jakova”. Ky titull nderi ka nisur të jepet nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës si vlerësim për figurat që kanë bërë emër në fushën e muzikës dhe në ruajtjen e traditës e të vlerave të artit shkodran.

Në dhjetor të vitit 2012, me kërkesën e një grupi artistësh instrumentistë, kryesisht të formacionit “Classic Sound’s”, u formua “Shoqata Kulturore Artistike Mark Kaftalli”, që si fokus kryesor ka që, përmes aktiviteteve, t’i transmetojë qytetit të Shkodrës dhe më gjerë vlerat artistike, por kryesisht të evidentojë veprën e madhe dhe të larmishme të kompozitorit të shquar Mark Kaftalli. 

Deri ditën që u nda nga jeta, më 16 tetor 2014, Marku merrej me sistemimin e të gjithë krijimtarisë muzikore të tij, me sistemimin e përfundimin deri në botimin e tij të plotë të Ahengut Shkodran, si dhe me përshtatje të materialeve muzikore të ndryshme (të huaja dhe shqiptare), për Ansamblin e Harqeve “Classic Sound’s” dhe njëkohësisht vazhdonte të krijonte këngë të zhanreve të ndryshme. 

Edhe sot e kësaj dite violina e tij me tinguj gjithmonë rinorë i bashkohet jetës artiske të qytetit, gjë që tregon se Mark Kaftalli vazhdon të jetë vital sepse krah tij qëndron energjia rinore e një talenti tjetër, djalit të tij Anton Kaftallit.