Tre universitete, ato të Shkodrës, Beogradit dhe Tetovës bashkuan forcat e tyre në konferencën ndërkombëtare “Pikëtakime kulturore në arealin ballkanik” me iniciativën e Departamenteve të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Fokusi i konferencës ishte evidentimi i gjuhës shqipe dhe vlerave të saj por dhe i çështjeve që trajtojnë identitete kulturore të veçanta që shërbejnë si ura lidhëse ndërmjet vendeve të rajonit.
Përshëndetën punimet e kësaj konference edhe përfaqësuesit e dy universiteteve të tjera pjesëmarrëse ku vendosën theksin në mbështetjen që i duhet dhënë gjuhës shqipe. Universiteti i Beogradit ka edhe një Katedër të Gjuhës Shqipe, e çelur që në vitin 1921.
Në konferencën e zhvilluar në mjediset e Bibliotekës Shkencore u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit, një rajon i pasur me histori por edhe me shumë sfida përpara.
