Rikthehet pas 5 vitesh “Radio Fest” në Gjakovë. Festivali i krijimeve radiofonike, i ideuar dhe organizuar nga radio e këtij qyteti, Radio Gjakova. Në këtë garë çmime të rëndësishme rrëmbyen Radio Tirana, Radio Gjirokastra, Radio Shkodra dhe Radio Kukësi.

Aktiviteti nisi me nderimin e kolegëve gazetarë në mbarë shqiptarinë, të cilët janë ndarë nga jeta por që kanë kontribuar në radio dhe veçanërisht në “Radio Fest”.

Ndërkaq gara u fokusua në tre zhanre: Spote publicitare ku fitoi Radio Tirana, Raportim ku fitoi Radio Sharri dhe Reportazhi ku fitoi Radio Kukësi. Në këtë të fundit Radio Shkodra u vlerësua me çmimin e tretë. Ajo konkuroi me një material dedikuar fotografes Luigjina Perdoda Pogu.

Drejtori i Radio Gjakovës Skënder Gola tha se materialet e dërguara në redaksi kanë qenë shumë të mira dhe me pak dallim mes njëri-tjetrit, çka dëshmon edhe arsyen e organizimit të këtij festivali që shkon përtej garës.

Ndërkaq redaktori i Radio Gjakovës Zeki Vehapi dhe organizatori i këtij festivali, tha se për “Radio Fest” duhet mbështetje financiare nga ministritë e kulturës si nga Kosova dhe Shqipëria që ky festival të mos mungojë më.

Për Radio Kukësin çmimet dhe vlerësimet ishin të njëpasnjëshme. Kjo radio ka rezultuar afër tyre dhe misioni i saj për Kosovën është ruajtur dhe realizuar në çdo periudhë.
Momente të veçanta në “Radio Fest” ofroi edhe kori “Besa” me këngë patriotike dhe gjakovare.

Ndërkaq Radio Shkodra zuri vendin e tretë te zhanri i reportazhit me autor Marjo Gjinin, i cili fittoi edhe çmimin si “Zëri më radiofonik”. Ndërsa Radio Gjirokastra marrë për bazë suksesin në sektorin e turizmit dhe Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar, fitoi çmimin e mikpritjes.
Festivali “Radio Fest” u mbështet financiarisht nga Drejtoria e Kulturës në Gjakovë.