Shkruan në Facebook Vasil Tole
“Jam i nderuar që si kryetar i Jurisë së konkursit për kompozitorët e rinj që mban emrin e nderuar të prof. Çesk Zadejës (themeluesit të katedrës sonë të kompozicionit dhe të parimeve të shkollës kombëtare në muzikë), edicioni II, juri e përbërë nga prof. Mauro Cardi-kompozitor, konservatori “Santa Cecilia”, Itali, docente Roberta Vacca, kompozitore dhe pianiste pranë konservatorit “Alfredo Cassela”, Itali, Eriona Rushiti, dhe Gert Druga, kompozitorë, Shqipëri, jam sot këtu për të dhënë vlerësimet e kësaj jurie për 3 fituesit e këtij konkursi.
Përpara se të komunikoj vendimin për fituesit, dëshiroj të theksoj dy-tri elemente të rëndësishme, si për vetë konkursin, ashtu edhe për pjesëmarrësit dhe fituesit e tij. Konkursi për kompozitorët e rinj është përpjekja më serioze që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kanë ndërmarrë pas viteve 2000 për mbështetjen e krijuesve të rinj në këtë fushë shumë të rëndësishme dhe njëherazi delikate të krijimtarisë artistike, siç është krijimtaria e re muzikore, pak ose aspak e vlerësuar deri më tani.
Aspekti tjetër pozitiv lidhet me faktin që ky konkurs është i hapur për gjithë krijuesit e rinj nga hapësira jonë mbarëkombëtare Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe diasporë, e njëherazi vijueshmëria e tij garantohet nga shteti, duke siguruar jo vetëm prestigjin publik të krijuesve, por edhe vënien e veprave fituese në skenë, kjo si një detyrim që e kanë dhe duhet ta kenë konkurset serioze si ky me emrin e Zadejës së madh.
Edicioni II mund të thuhet me plot gojën që e konfirmoi nevojën për organizimin e tij, nisur nga fakti i rritjes së numrit të pjesëmarrësve (10 konkurrentë në raport me 5 të tillë në edicionin e parë), e po ashtu, hedhjen e bazave institucionale të organizimit të tij nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit (pa përvoja të tilla të ngjashme në të shkuarën), që si kryetar i Jurisë gjej rastin e mbarë të falënderoj drejtuesit dhe institucionin për angazhimin dhe seriozitetin në mbarëvajtjen e tij.
Në emër të Jurisë dua të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, si për veprat që paraqitën, ashtu edhe se na konfirmojnë që një gjeneratë e re krijuesish janë duke bërë përpjekjet e tyre serioze për avancimin në karrierën artistike, dhe se konkurse të tilla janë vendi i duhur për mbështetjen e tyre.
Përtej faktit që emrat e konkurrentëve në garë nuk njiheshin prej nesh, pasi secili prej tyre konkurronte në mënyrë anonime brenda kritereve të bëra publike, dëshiroj te theksoj se, si gjykimi i lirë i secilit prej anëtarëve të Jurisë, ashtu edhe shumatorja e pikëve të dhëna nga secili prej tyre sipas procedurës së parashikuar, na krijoi një emërues dhe bindje të përbashkët se cilat ishin veprat dhe autorët fitues, duke përputhur plotësisht cilësinë e 3 veprave fituese me çmimet përkatëse, pa asnjë ekuivok apo mëdyshje, çka dhe po të kishte do të ishte normale.
Theksoj se, thelbi i vlerësimit tonë fokusohej në evidentimin e atyre veprave që kanë origjinalitet të spikatur, vepra që zotërojnë një nivel të caktuar të teknikave muzikore të lidhura me idenë origjinale kompozicionale të veprës, e po ashtu që kanë dhe shfaqin përpjekje thelbësore për një gjuhë muzikore të përveçme. Nisur nga sa më sipër, mund të pohoj dhe një herë që niveli i veprave fituese dëshmon një standard relativisht të lartë të zotërimit të profesionit prej autorëve të rinj, çka i rendit me dinjitet veprat fituese në rrjedhat bashkëkohore të muzikës në Shqipëri e më gjerë. Tani çmimet!
Juria vendosi që:
▪︎ Çmimi i parë “Çesk Zadeja” i jepet veprës “Spectrum, Harmony, Polyphony”, për orkestër harqesh, e Kris Sopiqotit, kompozitor, Shqipëri.
▪︎ Çmimi i dytë “Zadeja” i jepet veprës “Një natë pa gjumë”, për solist dhe orkestër harqesh e Jetmir Zaganjorit, kompozitor, Shqipëri, mbi poezinë e Migjenit. Ky çmim jepet në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
▪︎ Çmimi i tretë “Zadeja” i jepet veprës “String quartet-Kuartet harqesh” e Fjolla Gashit, kompozitore shqiptare e Kosovës.
Mirë u takofshim në edicionin e III të konkursit “Zadeja”, vitin e ardhshëm!”
