Donika Franja lindi më 7 dhjetor 1944 në Kuçovë. Aktorja e pashme, që ngjalli menjëherë simpati tek spektatorët jo vetëm nga interpretimi i saj ku u dallua nga zëri kumbues, e zhvilloi aktivitetin artistik, kryesisht në skenën e Teatrit “Migjeni” në vitet ’70 deri aty në mesin e viteve ’80.

U aktivizua në drama të ndryshme duke mishëruar figura dhe karaktere të arrira ndonëse interpretoi role dytësore. Kështu mund të përmendim: “Fisheku në pajë” (1973) në rolin e Diellës (të dubluara në shfaqje të tjera edhe nga kolegia e saj, aktorja e Teatrit “Migjeni” Ana Gjini), shkruar nga Fadil Kraja, një shfaqje që bëri bujë dhe arriti një sukses të madh. Një vit më vonë në dramën “Shpartallimi” (1974), apo rolin e zonjës së kryeministrit në shfaqjen tjetër “Drenusha e Drenicës” (1978) etj.

Në vitet ’80 e vazhdoi interpretimin e saj gjithnjë në skenën e Teatrit “Migjeni” duke u aktivizuar edhe në komedi. Kështu ajo merr pjesë në “Kënga e dhimbjes krenare” (1980) në interpretimin e poezive dhe prozave të Migjenit së bashku me aktorët e tjerë të këtij teatri. Më pas kujtojmë interpretimin e Shyretes në shfaqjen “Të gjithë të qeshur” (1984) (dubluar edhe nga aktorja e mirënjohur Mirjam Bruceti), tek “Çështja e Blertës”, nusja e njërit prej vëllezërve të Blertës, në rolin e Angustias tek “Shtëpia e Bernarda Albës” (1986) etj.

Duhet thënë se spektatori i viteve ’80 e mban mend mirë aktoren Donika Franja në interpretimin mjeshtëror në rolin e Tanushës, vajzës së Mbretit Blu, tek drama e shkruar nga prof. Fadil Kraja “Gjaku i Arbërit” (1982) (shkruar në vitin 1981 dhe regjistruar nga TVSH në vitin 1985), ku interpretimi i saj me temperament bie në sy për vërtetësinë e rolit nga mënyra e saj e reagimit të një vajze kapriçoze që ka rënë në dashuri dhe kërkon me ngulm për ta bërë me kusht për vete Palin e tokës së Arbërit (interpretuar nga Bruno Shllaku) të cilën e ka zaptuar ushtria e babait të saj, Mbreti Blu (interpretuar nga R. Rama).

Ka patur fatin të interpretojë përkrah korifejve, artistëve shkodranë që nga Lec Bushati, Tinka Kurti, Serafin Fanko, Viktor Bruceti etj. Donika Franja ka interpretuar role edhe në kinematografinë shqiptare të atyre viteve.