Emanuel Suka nuk është një djalë i zakontë. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që rendin pas teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ai dashuron instrumentet e traditës. Emanueli studion në shkollën artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër për violonçel por ushqen një pasion të madh për instrumentin e lahutës.
Veç mësimeve të shkollës çdo ditë Emanueli ushtrohet edhe në çifteli e piano. Emanueli është një nga trenjakët e familjes Suka dhe ashtu si 14-vjeçari i talentuar edhe dy motrat e tij Elizabeta dhe Emanuela ndajnë të njëjtin pasion.
Pa mbështetjen e prindërve asgjë nuk do të ish njësoj. Janë ata që i kanë rrënjosur dashurinë për instrumentet e traditës.
Emanueli është padyshim rapsodi më i ri që kërkon të ndjekë gjurmët e trashëgimisë së pasur kulturore duke u vlerësuar në pjesëmarrjet e tij në aktivitete të ndryshme me çmime dhe vlerësime të vazhdueshme.
