Në Shkodër prej ditësh ka nisur të ndihet atmosfera e festave të fundvitit. Në dallim nga vitet e tjera, zbukurimet kanë filluar shumë më herët duke krijuar disa oaze festive në qytet.

Sheshi pranë Bashkisë së Shkodrës është kthyer tërësisht në një zonë këmbësore. Aty është vendosur edhe Pema e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Makinat duket se nuk do të bëhen më pengesë për qytetarët për të shkrepur foto pranë pemës festive. Hapësira të tjera të qytetit në kënde të ndryshme të tij kanë marrë trajtën e festave.

Në zonën pranë shatërvanit gjenden këndet e lojërave dedikuar më së shumti fëmijëve dhe të rinjve. Ngjyrat e festave pritet të shtohen me ndezjen e dritave të dekorit festiv duke gjallëruar edhe më shumë dhjetorin në Shkodër. Përgjatë këtij muaji pritet të ketë një sërë aktivitetesh të larmishme në sheshet e qytetit dhe institucionet kulturore të tij.