Ndonëse një ditë me shi, Shkodra e ngriti në mënyrë simbolike flamurin kombëtar në sheshin para Bashkisë. Në ceremoninë zyrtare, zhvilluar në kuadër të 111-vjetorit të pavarësisë së vendit morën pjesë përfaqësues zyrtarë, klerikë dhe qytetarë.
Kryetari i Bashkisë Benet Beci u shpreh mbi rëndësinë e kësaj dite kuptimplotë për të gjithë kombin.
Disa metra më tutje, u vendosën kurora para shtatores së Luigj Gurakuqit, njërit prej firmëtarëve të pavarësisë së vendit por edhe në sheshe të tjera ku ndodhen shtatoret e heronjve të tjerë të vendit.
28 Nëntori përfaqëson ditën më të rëndësishme të shtetformimit shqiptar. Një natë më herët në fasadën e Bashkisë së Shkodrës u projektuan disa nga imazhet e rralla të figurave patriotike dhe ngjarjeve që shënjuan këtë moment historik për të gjithë kombin.
