Këto ditë nxënësit e Shkollës Finlandeze në Kosovë kanë mirëpritur nxënësit nga dega e saj në Turqi, Shkolla Finlandeze në Çanakala ku kanë shkëmbyer metodologji të mësimdhënies por edhe në të njëjtën kohe kanë mësuar rreth kulturave të ndryshme finlandeze, turke, si dhe kosovare e shqiptare. Pasi kjo vizitë rastisi, në vigjilje të shënimit të 28 nëntorit, nxënësit e Shkollës Finlandeze kanë realizuar aktivitete të shumta rreth gërshetimit të kulturës shqiptare dhe traditat dhe ushqimet shqiptare po i shijojnë edhe nxënësit e huaj në Shkollën Finlandeze.
Si pjesë e lëndës ekonomia shtëpiake, nxënësit po mësojnë se si të gatuajnë edhe ushqimet tradicionale shqiptare si flija. Njëra nga nxënëset e Shkollës Finlandeze me kombësi kroate tashmë ka mësuar gatimin e flisë dhe tani ajo po mëson një nxënëse nga Turqia. “Eshtë kënaqësi të mësojmë për traditat e kulturave të ndryshme, dhe kjo është mënyra më e mirë: përmes ushqimit,” tha Ema Vlahovic, nxënësja kroate në klasën e 7 në Shkollën Finlandeze. “Gatimi i saj është mjaft i lehtë dhe është shumë e shijshme,” thotë nxënësja nga Turqia teksa përgatit rendet e flisë.




Me këtë rast nxënësit nga Turqia mësuan edhe më shumë rreth traditave dhe kulturës shqiptare dhe kosovare. Në Shkollën Finlandeze, nxënësit inkurajohen në mësimin e kulturave dhe traditave të njëri-tjetrit, duke ndikuar kështu në një frymë tolerante dhe miqësore mes nxënësve të kombësive të ndryshme dhe në krijim të një mentaliteti global.
