Paulin Selimi u lind në Shkodër më 19 nëntor të vitit 1947. Babai i tij, Sokoli, ishte me prejardhje nga Dukagjini, ndërsa nëna, Danica nga Tivari i Malit të Zi.
Ishte një ditë e ftohtë nëntori kur në lagjen G’juhadol erdhi në jetë gëzimi i parë i familjes Pali (Selimi). Paulini i vogël u rrit me dashurinë e madhe të prindërve, por edhe të gjyshes, e cila do e kishte gëzimin e parë nga djemtë. Më vonë në këtë familje do të vinin edhe kushërinjtë e tij, Luçjana, Aleksandri, Viktori dhe Gjergj Pali.
Duke qenë se ishte më i madhi i fëmijëve, ai ishte gjithmonë pjesë e lojërave me ta dhe me fëmijët e tjerë të lagjes. Lojërat ishin të bukura dhe jo luftarake. Madje Paulini u shfaqte fëmijëve filma të shkurtër pa zë, pasi kishte edhe një aparat që ia kishin sjellë peshqesh nga Italia. Aty mblidheshin të gjithë, por secili prej tyre duhet të paguante për skenën që shihte. Gjithashtu kishte filluar të dallonte mes shokësh edhe për sens humori e krijues në lojërat e tij. Moshatarët kujtojnë se një herë, kur sapo kishte lexuar Pinokun, i thotë një shoku të klasës që kishte gjithmonë lekë nëpër duar: “A do të të shtohen lekët?”, “Posi”, i thotë ai. Dhe Paulini i përgjigjet: “Futi këtu ke vrima në mur dhe pas një jave do të marrësh dyfishin”. Dhe lojëra të tilla nuk kishin të mbaruar.
Shkëputur nga libri “Ars Longa, Vita Brevis” në kujtim të shkrimtarit të humorit Paulin Selimi
