Shkolla e mesme pyjore “Kolë Margjini” festoi sot 60-vjetorin e krijimit. Pjesë e aktivitetit ishin veç stafit aktual edhe ish-mësues dhe nxënës të shkollës ndër vite.
Në ceremoninë festive të shkollës ishte pjesë edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro. Gjatë fjalimit të saj, vuri theksin në rolin që do të ketë Shkodra gjatë vitit 2024 si viti i pyjeve.
Përshëndeti aktivitetin edhe Kryetari i Bashkisë Benet Beci ku ndër të tjera theksoi mbështetjen ndaj mjedisit në vizionin e tij për Shkodrën.
Pjesë e fjalimeve përshëndetëse ishin edhe Prefektja Angoni dhe deputetja Bilali. Shkolla sot numëron arritje të shumta dhe infrastruktura e shkollës është përmirësuar ndjeshëm.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe disa çertifikata “Mirënjohje” për ish-mësuesit e kësaj shkolle. Në përfundim të aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar për krijimin e shkollës.
Arsimi pyjor në Shkodër i ka fillesat në vitin 1959 si Teknikumi Pyjor dy-vjecar. Funksionoi si i tillë deri në vitin 1963. Nevojat dhe kërkesat e kohës ishin që nga niveli dy-vjecar të kalonte në nivelin 4-vjecar. Kështu në vjeshtën e vitit 1963 u hap Shkolla e Mesme Pyjore Shkodër, 60 vjetori i së cilës u festua sot. Ajo është e vetmja shkollë e këtij lloji në të gjithë vendin.
