Punimet artizanale vlerësohen si një pasuri e çmuar dhe që tregojnë më shumë për kulturën dhe identitetin e një vendi. Vitet e fundit kjo traditë është rikthyer e fortë edhe në brezat e rinj që po mundohen ta ruajnë atë, përmes formave të saj të ndryshme ku ndërthuren motivet e së shkuarës me të renë.

Drane Fizi vjen nga Mirdita, duart e saj të arta punojnë pa u ndalur prej 30 vitesh kostume për burra e gra, si dhe aksesorë me motive tradicionale të zonës. Mes shumë punimeve veçon xhupin e Mirditës për nga vlera historike si dhe zbukurimet që bartë ai por puna për realizimin e tij kërkon veç pasionit, kohë dhe durim.

Ndërsa për Adelinën, artizanen tjetër mirditore, riciklimi dhe puna me të mbetet pjesa e preferuar e saj në këtë fushë. Pasioni i saj i vjen në ndihmë një kauze me rëndësi siç është mbrojtja e mjedisit ndërsa të huajt i duan më shumë punimet e saj.

Artizanet mirditorë vazhdojnë ta ruajnë fort traditën e kostumeve të punuara me dorë duke ia përcjellë edhe brezit të ri mjeshtërinë e tyre shekullore të qëndisjes tradicionale.