Teatri “Migjeni” çeli dyert për spektatorët shkodranë me “Vizita”, premiera e parë e këtij sezoni të ri, një bashkëpunim me teatrin e Sardenjës në Itali. Drama e bazuar tek shkrimtari britanik Herbert George Wells erdhi e përshtatur nga regjisori italian Davide Iodice dhe e interpretuar nga trupa e aktorëve shkodranë.
Regjisori Iodice ndihet i kënaqur me punën e bërë dhe premierën para publikut.
“Mbetet përherë një surprizë, sepse teatri është dicka e gjallë që ndryshon gjithmonë. Sonte është ndryshe nga nesër, por unë jam i kënaqur nga takimi me publikun, krijimi i këtij grupi bashkëkohor, sepse teatri këtë duhet të bëjë, të krijojë komunitet, duhet të jetë i hapur çdo ditë, sepse si një spital apo objekt kulti, është një vend takimi që duhet të jetë i gjallë dhe i hapur cdo ditë.”
Kjo dramë ishte e veçantë për ish-drejtuesen e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka duke qenë se ishte roli i fundit në karrierën e saj prej 40 vitesh në skenë.
Drama trajton mungesën e dashurisë dhe tolerancës për të ndryshmen dhe brishtësinë humane duke ngjarë aktuale me realitetin e shoqërisë njerëzore sot.
Premiera botërore “Vizita” do të vazhdojë të shfaqet në Shkodër edhe në datat 28 dhe 29 tetor ndërsa rrugëtimin do ta vijojë në kryeqytet me 1 dhe 2 nëntor në “ArtTurbina”.
