Edicioni i dytë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare ka vijuar festimin e Javës së OKB-së teksa edhe Bashkia e Shkodrës u bë pjesë e aktiviteteve kushtuar asaj. E planifikuar të mbahej në sheshin para Bashkisë, për shkak të kushteve atmosferike aktivitetet u zhvendosën në hollin e saj.

Punime artistike, një shfaqje teatrale me kukulla, produkte bujqësore nga fermerë vendas dhe shumë aktivitete të tjera për çdo grupmoshë ishin disa nga treguesit e punës që bëjnë Entitetet e Kombeve të Bashkuara në vendin tonë.

Ky organizim u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB Fiona McCluney.

Një ditë më herët Kryetari Beci nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Unicef si vijueshmëri e punës që kjo agjensi bën në Shkodër. Falë kësaj marrëveshje i hapet rrugë të hapësirave inovative “Bibliotech” në mjediset e Qendra Rinore Atelie dhe bibliotekës publike të Shkodrës. Një përvojë inovative për fëmijët dhe të rinjtë e Shkodrës nëpërmjet aftësive digjitale.

Dita e OKB-së në Shkodër u mbyll me koncertin festiv të përgatitur nga fëmijët e talentuar të QKF “Kujtim Alija”.