Natyra është treguar zemërgjerë me Shkodrën, aq sa poetët e saj e kanë përshkruar si “dashnorja e maleve të hjedhta, e lumejve të cemtë, e liqenit andrrimtar”, e tillë që në këtë bukuri, të cilën natyra i ka rezervuar “lanë hijen e vet mëngjezeve të saj të kulluet”.

Madhështinë e saj Shkodrës ia kanë shtuar njerëzit e saj të mirë e të përkushtuar, të pendës e të mendjes, ndaj ky qytet historikisht ka qenë i lidhur me librin dhe kur flasim për këtë të fundit, e lidhim pashmangshmërisht me Bibliotekën “Marin Barleti” si më e madhja në qytet por jo e vetmja për fatin e mirë sepse në Shkodër lidhja me librin në përgjithësi dhe atë artistik në veçanti vijon të jetë e fortë.

Fondi shqip i librave ku përfshihet letërsia artistike por dhe të tjerë mbetet sektori më i preferuar për lexim.

Pandemia Covid-19 diktoi një qasje të re të stilit të jetës ku jashtë saj nuk mbeti as libri. Forma online e mbërritjes së tij tek lexuesi i dha një hov më të madh proçesit të digjitalizimit të fondit të librave të Bibliotekës që në fakt ka nisur prej vitesh. Të parat që janë përfshirë në këtë proçes kanë qenë antikuaret dhe periodikët e vjetër ndërsa puna ka vijuar edhe me të tjerë. Aksesi ndaj librit bëhet më i thjeshtë për lexuesin ndërsa një tjetër avantazh që sjell ky proçes ka të bëjë me faktin se nuk lejon dëmtimin fizik të librave gjatë përdorimit të tyre.

Edhe në Bibliotekën Shkencore që si fokus kryesor të saj ka nxitjen e kërkimit shkencor, libri artistik mbetet më i kërkuar.

Aktdhurimet për Bibliotekën Shkencore janë një formë e rëndësishme e pasurimit të fondit të librave për rrjedhojë dhe e aksesit më të lehtë të tyre nga ana e studentëve.

Në funksion të qasjes ndaj librit janë edhe aktivitetet që zgjojnë interesin për të lexuar. Njëri prej tyre është organizimi i Festivalit Letrar të Shkodrës ku pjesë e tij bëhen shkrimtarë të spikatur dhe autorë librash nga vendi dhe rajoni.

Prej 7 vitesh Biblioteka “Marin Barleti” publikon revistën “Gegnia” e cila lindi si një domosdoshmëri për pasqyrimin e aktiviteteve dhe veprimtarive letrare që ky institucion i librit zhvillonte herë pas here në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Shkrimtarëve Shkodër. Ndonëse emri i saj lidhet me dialektin që bartë kryeqendra e veriut, kjo revistë, organ i Bibliotekës ka në fokus artikuj kërkimor, studime dhe kritika letrare nga i gjithë vendi duke mos u kufizuar brenda një territori të caktuar. Sot ajo botohet online si dhe në versionin print.

Zhvillimi i letërsisë ka ritmin e saj dhe është e vështirë të bëhet një art i kontrollueshëm duke ndikuar kështu në rritjen apo rënjen e numrit të lexuesve.

Në funksion të librit e në mënyrë të veçantë atij me poezi ishte edhe organizimi për herë të parë gjatë kësaj vere i “Varg Festival”, synimi i të cilit ishte promovimi i letërsisë vendase ndërthurur bukur me vendet e trashëgimisë kulturore. Për tre netë me radhë në Muzeun Historik të Shkodrës do të ishin të ftuar personalitete të fushës së librit që përmes këndvështrimeve të tyre sollën përmes bashkëbisedimit reflektime mbi poezinë dhe rëndësinë e fjalës. Kjo nisëm e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit përveç Shkodrës vijoi rrugëtimin edhe në qytete kryesore të vendit.

Megjithatë në ditët e sotme edhe libri ka sfidat e veta me të cilat përballet…

Shkodra është qyteti që në mënyrë të vazhdueshme duket se historia e ka ngarkuar me një mision, atë të nxjerrjes së njerëzve të spikatur në shumë fusha, e sigurisht edhe në atë të letërsisë dhe ndonëse brezat ndryshojnë tradita mbetet e njëjtë, ndoshta ky mbetet një tregues i mirë për interesimin ndaj librit në këtë qytet.

Shkodra dhe libri duket sikur janë të destinuara të mbeten përherë në një simbiozë të pandarë mes tyre ndaj dhe veprimtaritë e vazhdueshme dedikuar librit tregojnë dashurinë që ky qytet ka për të.