Rituali i dasmës shkodrane së bashku me këngët dhe vallet e saj mbetet një prej pasurive më të çmuara jomateriale të qytetit andaj ajo u risoll edhe njëherë në vëmendje për vlerat muzikore dhe etnografike që bart. Kësaj here Bashkia e Shkodrës çeli dyert për të pritur “dasmorët” që pushtuan hollin e saj në eventin “Ardhshi t’bardhë n’ahengun tonë”.
Në rolin e çiftit dhe ahengxhijve të dasmës ishin artistët e qytetit, pjesë e QK “Pjetër Gaci” të cilët sollën atmosferën e një dasme tipike shkodrane ku nuk mungonin as elementët e pajës apo gostisjes me embëlsirat tradicionale.
Rituali i dasmës shkodrane është vazhdim i aktiviteteve që kanë të bëjnë me trashëgiminë shpirtërore. Për organizatorët e eventit është shumë e rëndësishme rivitalizimi i kësaj tradite të vyer të qytetit.
Aktiviteti u realizua nga Nucleus Albania me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Shkodër. Synimi i tij është promovimi i pasurisë së vlerave të trashëgimisë kulturore jomateriale.
