Nga Xhahid Bushati
Xhelal Zaganjori ishte një krijues, kryesisht, për fëmijë. Me punën e tij fisnike dhe krijuese; të ngadaltë por të pandreprerë, si testament i la bibliotekës së letrave shqipe për fëmijë afro 20 libra. Tregimi si gjini zë hapësirën më të madhe në krijimtarinë e tij letrare. Për librat e tij që dolën në botime nuk u bë asnjë recension, përveç Fjalorit enciklopedik me titull: “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” (1886 – 2009) të autorit Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi, botim i Sh. B. “Dy Lindje dhe dy Perëndime”, Tiranë 2009; ku janë shënuar te germa ‘Z’ disa fjalë për jetën e tij dhe shënuar disa vepra të botuara; si edhe të një shkrimi dashamirës me titull: “Duke lexuar librin e parë të një letrari punëtor” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi për librin “Kapja e pilotit” (tregime), dhe botuar në gazetën “Drita”, 16.03.1975.
Xhelal Zaganjori na la edhe një libër me përralla të titulluara “Përralla e mia” (botimet “Camaj-Pipa”, Shkodër 2011. E botoi 12 vjet më parë. Në tryezën e kësaj lënde “frymojnë” dhe udhëtojnë duke bashkëbiseduar me lexuesin e vogël, përrallat: “Vajza e bukur”, “Këngëtarja e dritave”, Dy vëllezër e një motër”, “I urti dhe mëndjemadhi”. Mjafton të lexosh titujt e këtyre përrallave dhe kupton menjëherë sa dritë mirësie përcjellin ato, kjo falë talentit dhe shpirtit njerëzor të shkrimtarit. Përveç dritës që është bashkudhëtare në këto përralla, lexuesi do të gjejë dhe një veçori tjetër të stilit të shkrimtarit, atë të njohjes me gjenezën e përrallës popullore, të cilën autori e rrëfen me mjeshtri duke i dhënë këndvështrim të ri, bashkëkohor e aktual.
Në përrallën e parë “Vajza e bukur” do të njihemi me personazhin kryesor, me Stolinë 14-vjeçare. Ajo jetonte e vetme, me tri dele të buta, të cilat i kulloste në lëndinë. Stolinë e mundonte, e trishtonte dhe donte ta helmonte një gjarpër që e ruante ditë e natë. Gjarpri dinak, kohë më parë i kishte helmuar prindërit dhe vëllain. Edhe pse e vetme Stolia i kishte kuptuar dredhitë e gjarprit që e sulmonte herëpashere. Ajo i kundërpërgjigjej me trimëri. Edhe në atë moment të vështirë, kur gjarpri i hidhet në gjoks për ta pickuar, ai ndeshet me të papriturën, me gjethet e degës që Stolia i kishte vënë në gjoksin e saj, dhe nga vrulli i tepërt gjarprit i merren mendtë dhe bie i tulatur para këmbëve të Stolisë, e cila me shpejtësinë e një vetëtime i këput kokën me sëpatën e vogël; duke shpëtuar kështu veten dhe gjithë fshatin.
Në përrallën e dytë “Këngëtarja e dritave”, shpaloset përmes rrëfimit dëshira e Florinës për t’u bërë këngëtare. Ajo u kishte nxjerrë shumë këngë luleve, dy këngë lumit, fushës së gjelbër, diellit, dritave e pemëve. Por një këngë ia shtonte kënaqësinë e ia dritësonte fytyrën ishte ajo për qëngjat e saj që i donte dhe i puthte herëpashere. Dhe të gjitha këto këngë që i këndonte me shpirt, i kishin dëgjuar njerëzit që jetonin afër saj dhe, ato vraponin ta përqafonin e ta uronin, sepse Florina me zërin dhe këngën e saj u ndezte shpresat për të përballuar vështirësitë dhe për t’i buzëqeshur jetës.
Në përrallën e tretë “Dy vëllezër e një motër” rrëfehet historia e dy vëllezërve dhe një motre. Njëri vëlla që quhej Bari, me të bërtiturat shurdhonjëse ishte bërë i padurueshëm për familjen dhe komshinjtë. Në këtë realitet familjar të acaruar, rrugëzgjidhje i jep e motra e Barit, Vjollca. Me përqafimet e puthjet e saj, ngrohtësinë e dashurinë prej motre, bën që Bari të qetësohet pak nga pak. Por Vjollca, – siç thotë shkrimtari, – i kishte dhe fjalët e ëmbla si sheqeri, që ia falte orë e çast të vëllait, të cilat ishin ilaç që e urtuan Barin, i cili nuk qante e as nuk bërtiste më.
Në përrallën e katërt, e cila është e fundit në libër, shpërfaqet historia e dy vëllezërve, e Shpendit të urtë e të zgjuar, si edhe e Gugut mendjemadh. Autori i vizaton me detaje dy vëllezërit, nxjerr në pah karakterin e tyre, njëri (Shpendi) plot vlera, ndërsa tjetri (Gugu) plot antivlera (mbart vesin e mendjemadhsisë). Në një moment kërkon ta sfidojë të vëllain, por e pëson keqas duke u rrëzuar nga dega e pemës. Këtë fund e meriton Gugu, i cili motivohet e përligjet artistikisht. Atje e çoi mendje e madhe, ndaj dhe e pëson.
Të katër përrallat janë të ndërtuara sipas modeleve të përrallave popullore, si në strukturë, si në vizatimin e personazheve, ngjyresat e fjalëve, etj. Autori përdor me vend edhe disa formula që janë të pranishme te përrallat e traditës, si: – Na ishte një herë; – Një herë e një kohë; – Na ishte një kohë shumë, shumë e largët; – Këtu përralla mbaroi. / Edhe të tjera, më të bukura do t’u tregoj.; – Na ishin dy vëllezër e një motër.
Përrallat rrëfehen në mënyrë të këndshme, me një subjekt linear, me një freski motivi dhe udhëtojnë gjithnjë në një realitet bashkëkohor. E, këto janë merita të talentit të shkrimtari Xhelal Zaganjori. Ndaj dhe përrallat, përgjithësisht të shkurtëra, lexohen me ëndje dhe i përgjigjen moshës parashkollore.
