Ka nisur me promovimin e kulinarisë dhe traditës së ushqimit Java Kulturore Japoneze në vendin tonë. Shkodra mirëpriti për të dytin vit me radhë mbrëmjen e përgatitjes së ngjalave sipas mënyrës japoneze e quajtur “Unagi Kabayaki”, organizuar nga Ambasada e Japonisë në vendin tonë.

Disa nga shefat më të njohur japonezë demonstruan mënyrën e përgatitjes së ngjalave për të ftuarit. I pranishëm në darkën festive ishte edhe Ambasadori i Japonisë në vendin tonë Takada Mitsuyuki.

“Në Japoni e duam shumë këtë gatim tradicional me bazë ngjalën dhe bukuria e kësaj qëndron që ngjala preferohet edhe në vendin tuaj dhe ju e keni atë pjesë të pasurisë ujore ndërsa ne e kultivojmë. Ne këtu kemi gjetur shumë njerëz që e duan këtë aspekt të kuzhinës sonë. Edhe vitin e kaluar e realizuam këtë event. Në Shkodër kemi vënë re që ky produkt është cilësor. Sa i përket marrëdhënieve në mes dy shteteve tona ato janë të shkëlqyera dhe mbi 1 shekullore.” – shprehet ambasadori japonez.

Si mbështetës i evenimentit, Alban Xhaferi, Presidenti i KF Vllaznia thotë se kjo është një mënyrë për të kuptuar të përbashkëtat ndërmjet dy vendeve.

Atmosfera e darkës festive u bë edhe më e ngrohtë nga muzika e servirur prej muzikantëve shkodranë Albert Naraçi, Gjon Shllaku dhe Lorenc Radovani.