“Tetori i librit” po vijon me aktivitete të ndryshme, takime dhe biseda me autorë, promovime librash, etj. Por sipas shkrimtarit Xhahid Bushati aktivitetet janë përqendruar më shumë në Tiranë, në rrethe pak ndihet “Tetori i librit”. Në intervistën për gazetën “SOT” shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati thotë se duhet të ketë një plan të përgjithshëm nga Ministria e Kulturës për më shumë aktivitete në rrethe, ku të ndihet zëri i bibliotekave. Shkrimtari Bushati thotë se kjo do të thotë që aty ku ka biblioteka në rrethe të ketë më shumë takime me shkrimtarët dhe fëmijët. Ndërsa flet dhe për problemet që janë sot me aktivitetin e krijues, shkrimtari Xhahid Bushati ndalet dhe te rëndësia e kritikës letrare, që sipas tij nuk është sa duhet, por shton që duhet bërë më shumë dhe për autorët e librin shqip. Sa i takon krijimtarisë së tij, këto ditë doli në qarkullim libri “Alfabeti i bletës”(kolazhe poetike për fëmijë). Libri përmban katër kolazhe poetike, ku zbulohen mrekullitë e shiut, bletës, pyllit dhe detit. Vargjet i ftojnë fëmijët ta duan dhe ta mbrojnë natyrën si një pasuri të çmuar. Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e Pavarur e Shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike. Shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj.

-“Tetori i librit” po vijon edhe këtë vit me aktivitete të ndryshme në Tiranë. Ju si shkrimtar, çfarë mund të na thoni më shumë rreth “Tetorit të librit”?

“Tetorin e librit” e presim ndryshe nga muajt e tjerë, sepse sikur jemi më afër librit. Më afër autorëve dhe lexuesit janë më “dashamirës” ndaj librave, i njohin më tej edhe autorët që kanë bërë libra në këtë periudhë kohore. Aq më tepër, që ky muaj ka dhe afër Panairin e Librit në Tiranë, që janë dy festa shumë të bukura. Por ndërsa në Tiranë ka shumë zhvillime, takime, shumë është gjeografia e bisedave dhe njohja veçanërisht edhe me shkrimtarë të huaj, me autorë që ne nuk i njohim janë të mirëseardhur për biseda të ndryshme që bën Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit apo gjimnazet e Tiranës, unë do të thoja që “Tetori i librit” është shumë i zbehtë nëpër rrethe. Janë pak aktivitetet që zhvillohen në rrethe ose aspak. Kjo kalon si ka kaluar çdo vit në rrethe me të zakonshmet. Mendoj që duhet të ketë një plan të përgjithshëm nga Ministria e Kulturës, që të ketë edhe “me detyrim” aktivitete në rrethe, ku të ndihet më shumë zëri i bibliotekave. Kjo do të thotë që aty ku ka biblioteka në rrethe të ketë më shumë takime me shkrimtarët dhe fëmijët, që të dihet që dhe këtu ka një prodhim letrar.

-Por në kalendarin e “Tetorit të librit” më parë janë bërë dhe lexime në rrethe…

Nuk janë si aktivitete të mjaftueshme kur bëhet një lexim në një bibliotekë, sepse nëse flasim për Shkodrën duhet të ketë një bashkërendim më shumë dhe Drejtoria Arsimore, si dhe Universiteti i Shkodrës. Duhet t’i japin impulse se dhe aty është një Fakultet Gjuhë- Letërsie. Kjo marrëdhënie veçanërisht për “Tetorin e librit” duhet të jetë më e ngushtë lexues, shkrimtar dhe libër.

-Këto ditë doli në qarkullim dhe libri juaj më i ri “Alfabeti i bletës” (kolazhe poetike për fëmijë). Si autor, çfarë mund të na thoni më shumë rreth tij?

Ky libër te Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka fituar çmimin e parë. “Alfabeti i bletës”(kolazhe poetike për fëmijë), botim i shtëpisë botuese “MediaPrint”. Këto kolazhe janë poemtha të vogla, që do të shihen nga ana e lexuesit të vogël, 7-10 do të shihen si piktura. Janë 4 kolazhe: Shi, o shi, a nuk ngjan si një fëmijë?; Alfabeti i bletës; Dhurata e pyllit; Deti fal kujtime. Libri përmban katër kolazhe poetike , ku zbulohen mrekullitë e shiut, bletës, pyllit dhe detit dhe vargjet i ftojnë fëmijët ta duan dhe ta mbrojnë natyrën si një pasuri të çmuar.

-Kur ke nisur ta shkruani këtë libër, që vjen me titull “Alfabeti i bletës”?

Kam nisur ta shkruaj para gjashtë vitesh. Por këtë vit unë e kam paraqitur për aplikim në një konkurs te Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe fitoi mbështetje financiare. Unë nuk kisha mundësi ta botoja. Libri u shpall fitues me motivacioni: Për vargun dhe figuracionin e thjeshtë, gazmor, lodërtar për moshën e fëmijëve të arsimit fillestar, ku poemthat e këtij libri përcjellin këndshëm dashurinë për natyrën si një thirrje për të qenë sa më shumë pranë saj”. Shtëpia botuese e ka nxjerrë tani këtë libër, që sigurisht do të jetë i pranishëm dhe në Panairin e Librit në Tiranë këtë vit në muajin nëntor.

-Panairi e Librit këtë vit në Tiranë, që do të jetë në muajin nëntor do të ketë në stenda edhe botimet e reja. Si po e prisni si autor dhe sa ka rëndësi panairi për ju?

Unë Panairin e Librit në Tiranë po pres me shumë gëzim, sepse me thënë të drejtën ka shtëpi botuese, që do të përcjellin vlera librash të rinj. Në aspektin tim të letërsisë për fëmijë unë pres që të kemi zhvillime. Pres një libër shumë interesant të autores Adelina Mamaqi me titull “Lepurushi me dhjetë këmbë”. Një libër me vjersha, që është shumë interesant, dhe është një risi për vetë Adelinën, por dhe për letërsinë. Pres një libër me përralla të autores Rovena Rrozhani, është shumë interesante ajo, në konceptin e natyrës, etj, por do të shohim dhe autorë të tjerë që do të ketë në panair.

-Ju herë pas here si autor, por dhe kolegë tuaj janë shprehur që në Panairin e Librit letërsia për fëmijë nuk ka pasur hapësira sa duhet. Pse sipas jush?

Po jemi shprehur, dhe përsëri nuk ka sepse është si dorë e dytë. Nuk e vlerësojnë shumë, por që duhet vlerësuar më shumë. Gjithashtu mendoj se duhen vlerësuar më shumë dhe studimet e kritika letrare. Veçanërisht kritika letrare mbetet shumë e zbehtë sot.

-Kur ju shprehni se kritika letrare mbetet e zbehtë sot, çfarë sjell kjo?

Për kritikën letrare sot nuk po i intereson kujt. I duket si kohë e humbur, por dhe nuk ka impulse. Kritika letrare e orienton lexuesin drejt librit, por dhe njëkohësisht shkrimtarit i evidenton me dashamirësi dhe vlerat, por i bën edhe ndonjë vërejtje.

-Shkruani libra për fëmijë, por pjesë nga ju janë vënë edhe në skenën teatrore. Sipas jush, sa ka kjo rëndësi për teatrin me pjesët e autorëve për fëmijë?

Aty ku ka teatër duhet të ketë dhe teatër për fëmijë. Kur flasim teatër për fëmijë, teatër kukullash, por dhe shfaqje teatrore me aktorë që ti adresohet dhe parashkollorëve, por dhe atyre të mesme që dhe ata duhet ta gjejnë veten në këtë teatër për të rinj siç e quaj unë.

-Herë pas here flitet për leximin apo rënien e numrit të lexuesve. Sa është kjo shqetësuese për ju si autor librash?

Unë mendoj që ne kemi pak lexues. Sikur janë larguar nga libri fëmijët. Në shkolla nuk bëhet kaq shumë për këtë punë. Shkolla duhet të jetë vatra kryesore. Pastaj nuk diskutojmë dhe prindin, kur prindi nuk e merr fëmijën përdore ta çojë në një librari me krijuar një bibliotekë në shtëpi dhe me shumë dashuri që ta motivojë, njëkohësisht pak bëjnë dhe televizionet në këtë aspekt.

-Këtë “Tetor libri”, a keni një mesazh, që si autor ia drejton institucioneve?

Patjetër që duhet bërë më shumë për autorët dhe librin. Duhet vlerësuar më shumë libri shqip. Libri shqip ka nevojë për të pasur frymëmarrje më të gjerë. Mendoj që duhet të ketë dhe ndonjë amendament në parlament, që të ketë fonde për këtë punë. Të ketë më shumë fonde, që ti jepet mundësi të ketë dhe autori dhe shtëpia botuese mundësi, sepse në finale libri shqip është ekzistencë për të jetuar dhe mësuar shqipen. Kjo për mua është themelore, sepse jemi tkurrur shumë. Jam i trishtuar për këtë punë.

Intervistoi: Julia Vrapi