Muzeu i Fotografisë “Marubi” mirëpriti në hapësirën e tij drejtues të një prej pasurive arkivore më të rëndësishme të fqinjit përtej Adriatikut Italisë, Fondacionin Alinari. Arkivi i tyre përveç faktit që është më i vjetri, përmban 5 miljon artefakte që datojnë që nga viti 1841 e deri në ditët tona.
Presidenti i Fondacionit Alinari vlerëson bashkëpunimin me Muzeun “Marubi” dhe evidenton ngjashmëritë historike të këtyre arkivave.
“Ndihemi shumë mirë që një prej Arkivave më të vjetër të botës, ai “Alinari” ka mundësi të bashkëpunojë me Arkivin shqiptar “Marubi”, krijuar prej një fotografi italian ku në thelb kanë dokumentimin e gjurmëve të së shkuarës. Jemi të kënaqur që nënshkruajmë këtë marrëveshje bashkëpunimi dhe kemi mundësi të ekspozojmë pranverën e ardhshme një pjesë të kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore. Këtu në muze është bërë një punë e mirë sa i përket cilësisë së ruajtjes së imazheve fotografike.” – u shpreh Presidenti i Fondacionit “Alinari” Giorgio Van Straten.
Drejtuesi i muzeut Luçjan Bedeni foli në lidhje me projektin e krijimit të një shkolle fotografie, e cila pritet të konkretizohet vitin që vjen.
Në fund të prezantimit, mes drejtuesve të Muzeut “Marubi” dhe Fondacionit “Alinari” u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Publiku shkodran ka patur mundësi edhe më herët të njihet me një pjesë të Arkivit “Alinari” përmes ekspozitës “Italiae” çelur në muajin shkurt në Galerinë e Arteve të Shkodrës.
