“Poeti i mjerimit” Migjeni u përkujtua sot në 112-vjetorin e tij të lindjes përmes një aktiviteti me nxënës të ciklit 9-vjeçar organizuar nga Drejtoria Ekonomike e Kulturës dhe Muzeu Historik i Shkodrës në mjediset e këtij të fundit.

Drejtuesi i Muzeut Sokol Parmeza thekson rëndësinë e aktiviteteve të tilla në nderim të figurave historike të qytetit dhe siguron se edhe në vazhdim do të organizohen veprimtari të tilla.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe interpretimet e vargjeve të poetit përmes disa prej aktorëve të teatrit “Migjeni” si edhe një ekspozitë në katin e dytë të Muzeut me 18 vepra të Migjenit, të përkthyera në 6 gjuhë të ndryshme.