E quajnë Besnik Sahatçija, dhe si për rastësi mbiemri i tij përkon edhe me zanatin që ushtron prej një jete, atë të orëndreqësit. Punon çdo ditë pa u ndalur njëjtë si tik-taket e orës. E ka nisur këtë zanat qëkurse ishte fëmijë, asokohe 12 vjeç për të mos iu ndarë më sot e kësaj dite…
Është e vjetër tradita e familjes Sahatçija në këtë zanat dhe Besniku i përket brezit të gjashtë që vazhdon ta ruajë atë me fanatizëm. E njohur në qytet është historia e orës së oficerit gjerman që e rimerr atë nga mjeshtri Nuh Sahatçija pas më shumë se 24 vitesh. Besniku e tregon me krenari atë duke nxjerrë në pah traditën e pasur në zanatin e orëndreqësit të kësaj familje.
Mjeshtri i orëve thotë se mbiemri i familjes Sahatçija nuk buron nga zanati që ata kishin. Në moshën 16-vjeçare Besniku do të niste punën në repartin e riparimit të orëve pranë Ndërmarrjes së Riparim-Shërbimeve Komunale. Do të punonte përkrah zanatçinjve të nderuar të qytetit.
Përcjelljen e këtij zanati tek i biri Besniku e ka ndjerë gjithmonë si një detyrim moral ndonëse e pranon se interesi për ta ushtruar nuk është në nivelin e dëshiruar. Ka mbi 50 vite që e ushtron zanatin e orëndreqësit por mesa duket misioni për të zbuluar e për rrjedhojë mësuar vijon ende…
Ndjen keqardhje kur e mendon faktin se ky zanat po shkon drejt zhdukjes. Kohët kanë ndryshuar dhe teknologjia ka sjellë zhvillimin e saj e bashkë me to edhe dëshirat e klientëve për orët e dorës.
Besnik Sahatçija vijon në këtë zanat duke kujtuar ende sot 3 këshillat e babait të tij. Ky zanat ka vështirësinë e vet por në fund të ditës veç lodhjes ndjen edhe kënaqësinë shpirtërore që i fal puna, të cilën e ushtron plot pasion…
