Takimi Ndërkombëtar i Orkestrave Frymore çeli siparin e tij në 4 nga sheshet kryesore të Shkodrës ku në secilën prej tyre ishte e pranishme një bandë muzikore pjesëmarrëse në këtë edicion të tretë.

Në sheshin “Parrucë” ishte e vendosur Orkestra Frymore e qytetit teksa ekzekutoi disa prej pjesëve të njohura muzikore vendase dhe botërore.

Në sheshin “Isa Boletini” publiku i pranishëm shijoi tingujt e Orkestrës Frymore të Beratit ndërsa ajo e Durrësit ishte e vendosur në sheshin pranë katedrales “Shën Shtjefni”. Për të plotësuar kuartetin e Orkestrave Frymore të kësaj nate në sheshin kryesor “Nënë Tereza” ndodhej ajo e Tivatit nga Mali i Zi.

Drejtori artistik Bardhyl Hysa vlerëson rëndësinë e këtij evenimenti si dhe vlerat që bart Orkestra Frymore e qytetit.

“Takimi Ndërkombëtar i Orkestrave Frymore” u rikthye për herë të parë që pas ndërprerjes që shkaktoi pandemia botërore Covid-19.