Fotografi origjinale të poetit dhe regjisorit Zef Zorba dhe bashkëshortes së tij Terezinës, pasaporta e tij, një nga veprat e Dom Ndre Mjedës që ishte pjesë e bibliotekës së Zef Zorbës, dokumente bankare dhe plot të tjera u sollën për të pranishmit përmes ekspozitës me materiale fotografike dhe historike në përkujtim të Terezina dhe Zef Zorbës në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Ekspozita përfshinte disa etapa të jetës së poetit dhe regjisorit të shquar duke nisur nga vitet e hershme dhe formimi e deri tek përndjekja nga regjimi monist. Këto materiale të ekspozuara janë pjesë e fondit privat të familjes Zorba.

Zef Zorba ishte një nga figurat e para desidente që përmes poezisë shfaqte shpirtin e tij të lirë në një kohë që liria nuk ekzistonte.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës përgjatë ditëve të mbetura të muajit shtator si dhe të gjithë muajit tetor.