Komuniteti i arbëreshëve të Zarës e ka ruajtur gjuhën, kulturën e trashëgiminë origjinale shpirtërore duke i rezistuar përgjatë tre shekujve asimilimit.

Arbëreshët e Zarës janë me origjinë nga fshatrat përreth Liqenit të Shkodrës, të cilët ishin larguar nga tokat e veta nga pushtimi osman dhe në disa valë (1655, 1726-27 dhe 1733) përmes Gjirit të Kotorit e detit Adriatik kishin arritur me anije në bregun afër Zarës ku edhe sot ekziston komuniteti i tyre edhe pse janë shpërndarë anembanë Kroacisë.

Nga ky komunitet kanë origjinën shumë njerëz dhe intelektualë me famë të artit, kulturës, sportit e të politikës në Kroaci: muziktarët familja Deshpali, këngëtari Gjani Marshan, sportistët Pino Gjergja, vëllezërit Bajko, kryebashkiaku i Zarës Kallmeta, arkeologu e ilirologu Alleksandar Stipçeviq dhe shumë të tjerë.

Në Arbanasi edhe sot brezat e vjetër flasin gjuhën gegërishte arbëreshe, këndojnë këngët e vjetra në këtë gjuhë dhe i ruajnë traditat origjinale të jetës shpirtërore, por për fat dita-ditës janë në proçes të vazhdueshëm të asimilimit për shkak të martesave me kroatë por megjithatë të vetëdijshëm për rrënjët shqiptare të origjinës se tyre.

Kronikë e televizionit shtetëror kroat, HRT