Jeton dhe punon prej disa vitesh në Gjermani por me origjinë është nga Shkodra. Sa herë vjen të vizitojë vendin e saj kërkon të dokumentojë përmes fotografive bukuritë e tij.

Elisa Berdica është autorja e ekspozitës me fotografi “Ruralb” që u çel në galerinë “Oda”, përmes të cilës kërkon të promovojë Shqipërinë rurale dhe bukuritë por edhe vështirësitë e jetës në fshat.

Punën për këtë ekspozitë e ka nisur prej tre vitesh ndërsa autorja shprehet se veç bukurisë natyrore ka gjetur mikpritjen tek njerëzit që ajo i ka bërë pjesë të fokusit të saj.

Së shpejti këtë ekspozitë autorja Elisa Berdica do ta çelë edhe në Gjermani duke njohur vendasit me një pjesë të kulturës shqiptare.